NGA SPARTAK KOKA*

TIRANË- Gjermania shpreh shqetësimin për rritjen e numrit të azilkërkuesve. Në një intervistë për News24 ambasadori gjerman në Tiranë, Helmut Hoffman shpreh shqetësimin se javën e fundit vetëm brenda një dite është regjistruar një shifër prej 600 azilkërkuesish nga Shqipëria. Ambasadori iu kërkon qytetarëve shqiptarë që të mos e lënë veten të ndikohen nga kjo lëvizje histerike pasi në Gjermani nuk do të përfitojnë azil.

Duke vlerësuar bashkëpunimin me policinë shqiptare ambasadori kërkon që të frenohet veprimtaria e grupeve kriminale dhe kompanive të transportit që përfitojnë financiarisht. Hofman i ka bërë apel shqiptarëve: Ju lutem mos e lini veten të  ndikoheni nga kjo lëvizje histerike! Më tej, diplomati gjerman thekson se është detyre e politikës shqiptare që të rikthejë shpresën tek qytetarët. 

Zoti Ambasador, është  ngritur një legjendë më e fuqishme se të gjitha deklaratat zyrtare të mbledhura sëbashku, që Gjermania i pranon azilantët. A mund të sqaroni në mënyrë më të detajuar, çfarë ndodh me të huajt që kërkojnë azil në Gjermani?

Më lejoni fillimisht t’iu them se në këndvështrimin tim për sa i përket zhvillimeve të fundit për rritjen shqetësuese të numrit të azilkërkueseve nga vendet e Ballkanit Perëndimor është një problem që shikohet si i tillë jo vetëm nga Gjermania por edhe nga Shqipëria. Pasi nuk mund të jetë në interes edhe të Shqipërisë që kaq shumë njerëz të braktisin vendin e tyre dhe njëkohësisht shkaktojnë probleme sociale për jetën e tyre dhe vendit të tyre pasi menjëherë, pas disa muajsh do të ju duhet të kthehen sërish në Shqipëri.

Sërish dua të theksoj se rritja e numrit të azilkërkuesve përbën një shqetësim mjaft të madh pas Shqipëria vetëm në tre muajt e fundit ka shënuar një numër prej 6500 azilkërkuesish. Vetëm në mars kjo shifër e ka kaluar 3200 persona. Ditët e fundit shifrat vazhdojnë të jenë në rritje dhe ky është një zhvillim shqetësues.

Është mjaft e rëndësishme që ligji për azil kërkimin të kuptohet drejt në Shqipëri. Të drejtën për azil  e kanë vetëm ata persona që diskriminohen politikisht . Ne jemi krenar për këtë fakt, kjo është një traditë e vendosur prej mbarimit të periudhës së  diktaturës nacional –socialiste.

Vetëm ata persona që nga vendet nga vijnë janë të diskriminuar  dhe përndjekur politikisht mund të marrin të drejtën për azil. Ç`ka është tërësisht ndryshe krahasuar me historitë e atyre personave që argumentojnë se vijnë për arsye ekonomike.

Edhe për një vend relativisht të mirëqenë ekonomikisht  siç është Gjermania do të ishte e vështirë  t`u vinte në ndihmë atyre njerëzve të cilët vijnë nga vende të ndryshme të botës dhe kërkojnë përmirësim të situatës së tyre ekonomike.  Për ata persona të ballkanit perëndimor që vijnë për arsye ekonomike më duhet të përsëris se do të rikthehen në vendet e tyre.

Për fat të keq  na duhet të konstatojmë  në kuadër të këtyre të zhvillimeve se ka njerëz të papërgjegjshëm, trafikant më së shumti, të cilët kanë një lloji interesi me këto zhvillime dhe ngjarje sepse  për ta përkthehet në përfitime financiare.

Ne kemi bashkëpunim mjaft të mirë me autoritet shqiptare dhe policinë shqiptare në mënyrë që ky problem të zgjidhet sa më shpejt.

Ka dëshmi të ndryshme të shqiptarëve nëpër rrjetet sociale. Disa thonë se kanë shkuar në Gizen të Frankfurtit, janë mbajtur aty dhe janë paguar me 300  euro në muaj, te cilat i sjellin në Shqipëri për të mbajtur familjet. Në 3 muaj kjo shumë bëhet më e lartë se ndihma sociale e vitit apo edhe se pensioni apo rroga më e ulët në Shqipëri. A ka ndonjë praktikë të tillë në Gjermani?

Ambasadori: Në përgjithësi  njerëzit në gjermani  përfshirë dhe azilkërkuesit trajtohen në mënyrë dinjitoze , por kjo nuk do të thotë se është një gjë e bukur të pritesh në një strukturë të tillë sikurse mund të jenë kampet e  pritjes së parë azilkërkuese dhe të jetosh me njerëz të ndryshëm prej teje,  çka mund të sjellë dhe vështirësi  të ndryshme.

Duhet thënë gjithashtu se si aplikues për  të drejtën  e azilit, personit në fjalë nuk i lejohet të gjej një vend pune , dhe i duhet të jetoj në këto struktura me persona të tjerë.

Edhe pas një qëndrimi disa mujor në gjermani këtyre njerëzve do t`iu duhet të kthehen, dhe në momentin që ata kanë shpërbërë mënyrën e tyre të parë të jetesës do ta kenë të vështirë ta rinisin atë.

Apeli im për qytetarët shqiptarë është: ju lutem mos e lini veten të  ndikoheni nga kjo lëvizje histerike.

Çfarë ndodh në të vërtetë me ata që mbahen në kampet e azilantëve? Ka dëshmi se azilkërkuesit mbahen në kampe me kushte shumë të këqija; nuk kanë komunikim se celularët iu hiqen, hanë keq, nuk ka kujdes, madje në disa raste kanë dëshmuar edhe për abuzime nga azilkërkuesit të kombësive të tjera. A keni informacion për këto?

Nuk është plotësisht e thjeshtë jeta në struktura të tilla. Jam i sigurt që organet gjermane përkatëse po bëjnë gjithçka që të jetë e mundur që kjo jetesë të bëhet sa më dinjitoze,  por duke qenë se në struktura të tilla mblidhen njerëz me sfonde kulturore të ndryshme  atëherë mund të ndodh që të ketë konflikte apo probleme të ndryshme. Në mediat gjermane raportohet në mënyrë të rregullt rreth këtyre problemeve.

A mund të ketë një nxitje nga firma private për përfitim të transportit? A keni të dhëna që informacionet për azil në Gjermani mund t’i shpërndajnë spekulantë të ndryshëm që përfitojnë ekonomikisht?

Nëse nuk do numëronim këtu personat që konsiderohen trafikant, kriminel sigurisht  që ka dhe njerëz të tjerë që kanë një interes të tyrin financiar,  në përhapjen e këtyre informacioneve me anë të shitjes së biletave  që do t`iu mundësonin udhëtimin drejt Gjermanisë, janë zhvillime që datojnë më herët se sa kaq nëse kemi parasysh lëvizjen e emigrantëve nga veriu i Afrikës në drejtim të Italisë. Mua më mbetet të shpresoj se ky lloji fenomeni i të përfituar prej fatit të vështirë të emigrantëve të mund të marr fund sa më shpejt.

A keni evidentuar ju grupe kriminale shqiptare apo kosovare që kryejnë trafikun e qenieve njerëzore nga këto vende drejt Gjermanisë?

Në fakt strukturat e policisë shqiptare dhe gjermane po bashkëpunojnë ngushtë në këtë drejtim. Ne kemi një përfaqësuese të policisë federale që selinë e ka në Prishtinë por është kompetente dhe për Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe ai me zyrën e tij është duke koordinuar këtë lloj bashkëpunimi.

A u keni kërkuar autoriteteve shqiptare të hetojnë për këto thashetheme që përhapen në lidhje me azilin në Gjermani? Si është bashkëpunimi me autoritetet shqiptare?

Sikurse iu përmenda dhe më lart ne kemi një oficer ndërlidhës në rajon që është përgjegjës edhe për bashkëpunimin me strukturat e policisë shqiptare. Ai bashkëpunon jo vetëm për sa i përket shkëmbimeve të ndryshme të informacioneve në këtë drejtim por bashkëpunimi daton shumë më herët , përmes  masave të ndryshme  të kualifikimit lidhur me forcimin e masave të kontrollit në kufij.

Me kënaqësi kemi konstatuar veprimet në ditët e fundit nga policia shqiptare përsa i përket masave të ndalimit që janë ndërmarrë ndaj këtyre personave  për të cilët është konstatuar në kufij se kanë pasur qëllimin e udhëtimit drejt vendeve sikurse është Gjermania me qëllim azilkërkimin.

Çfarë mund të kishte bërë më mirë policia shqiptare gjatë tre muajve të parë të vitit 2015?

E vështirë të thuhet. Unë mendoj se ka bërë aq sa ka pasur mundësi për ta mbajtur  këtë fenomen nën kontroll. Në mënyrë objektive më duhet të them se kjo nuk është detyre shumë e thjeshtë për t`u realizuar ,jemi në kushtet e liberalizimit të vizave sepse në momentin që dikujt i refuzohet  udhëtimi për më tej, kjo përbën një ndërhyrje në këtë të drejtë.

Mendoj se pika kryesore e angazhimit do të ishin masat e nevojshme që veprimtaria e krimineleve apo e kompanive ta transportit që e dinë mjaft mirë që po dërgojnë njerëz për azilkërkim, të ndalohej sa më shpejt.

A mund te fajësojmë situatën ekonomike dhe humbjen e shpresës për këtë që po ndodh? Cilët janë faktorët e këtij eksodi masiv sipas jush?

Kjo është një pyetje disi e vështirë  për t`iu përgjigjur  me të dhëna të sakta pasi nuk kemi informacione  empirike dhe na duhet të spekulojmë  në përgjigje. Natyrisht që situata ekonomike nuk është pozitive, por ky nuk është një fenomen që ka prekur vetëm Shqipërinë por të gjithë rajonin dhe është detyra e politikës shqiptare që të mund të angazhohet në rikthimin e shpresës në vend, duke e bërë këtë për mes një politike aktive reformash.

A ka përgjegjësi politika sipas jush në humbjen e shpresës nga ana e qytetarëve?

Sigurisht që çdo njeri e shikon që në Shqipëri ka probleme thelbësore ju përmendet korrupsionin apo krimin e organizuar, unë do të thosha edhe kjo mënyra e të sulmuarit agresiv në klasën politike ndaj njëri-tjetrit.  E gjithë kjo situatë çon në një koktej ndjesish apo atmosfere që nuk e ndikon pozitivisht situatën.

E rëndësishme është  në këndvështrimin  tim që të gjitha partitë politike të mund të bëhen bashkë përtej përballjeve të tyre, në kuadër të bashkëjetesës demokratike. Të mund të bëhen bashkë dhe të thonë që ne bashkërisht kërkojmë që ta çojmë përpara vendin duke sheshuar pikësëpari këto pabarazitë sociale që ekzistojnë në vend.

Sa mund te ndikojë Gjermania, apo BE në rikthimin e një situate më të mirë ekonomike, apo ringjalljen e shpresës në Shqipëri, Kosovë, apo edhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor?

Më lejoni fillimisht t`iu them se BE , Gjermania  dhe shtetet e tij anëtare dhe vende të tjera janë të angazhuara  dhe një sërë organizatash janë të angazhuar fuqishëm në Shqipëri dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor prej vitesh e dekadash.

Mjaft e rëndësishme do të ishte mënyra e duhur e menaxhimit të pritshmërive nga ana e klasës politike në vend. Më duket problematike fakti që  vazhdimisht  ka kritika ndaj BE , duke thënë që Bashkimi Europian duhet të përshpejtoj procedurat dhe të na pranoj më shpejt në familjen e vet. Por nga ana tjetër duhet parë dhe ai këndvështrimi tjetër se ne jemi në mes të një procesi  të anëtarësimit në BE.

Përsa i përket Gjermanisë më lejoni të shtoj se nuk është rastësi fakti që kancelarja  Federale Merkel, verën e vitit të shkuara me 28 gusht në Berlin, thirri kryetarët e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor për t`i siguruar dhe njëherë ata për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.

Në fund të gushtit të këtij viti do të vijoj konferenca dytë e serisë së nisur, konferenca në Vjenë,  në të cilën do të diskutohet për projekte konkrete që kanë të bëjnë më së shumti me zgjerimin e infrastrukturës në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Me anë të këtyre projekteve Europa dhe vendet e Ballkanit Perëndimor vijnë shumë më afër njeri-tjetrit. Mjaft e rëndësishme është që ky lajm të përhapet sa  më shpejt  dhe jo të mbetemi në ankesat tona që BE duhet të përshpejtoj procedurat e pranimit.

Ka një lloj tendence ndoshta negative, njerëzit janë shumë të fiksuar në diskursin e tyre me tematikën e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE. Shqipëria po gëzon statusin e vendit kandidat prej jo  më shumë se treçerek viti,  ky nuk është një proces që ka mbetur në vend. Vazhdimisht zhvillohen biseda të ndryshme. Vazhdimisht ka vizita të rëndësishme nga rangje të larta të BE. Para pak ditësh kemi pasur komisionerin për zgjerimin në Tiranë.  Kjo duhet të sillet në publik në mënyrë pozitive.

Unë e them këtë krejtësisht në mënyrë të përgjithshme, ka një tendencë për ta gjetur fajin gjetkë dhe jo tek vetja. Mjaft e rëndësishme është që gjithsecili  të pyes veten  se si do të mund të kontribuojë unë pozitivisht në këtë situatë. Ne në gjermanisht kemi një shprehje që në shqip do të përkthehej “i zoti e nxjerr vetë gomarin nga balta”. Ky duhet të ishte një parim i cili do të duhej të ishte në sytë dhe mëndje e të gjithë shqiptarëve.

Sa rrezikohet lëvizja e lirë e shqiptarëve në zonën Shengen nga rritja e numrit të azilkërkueseve?

Ne jemi të vetëdijshëm rreth faktit që liberalizimi i vizave është një mirë mjaft e rëndësishme për të gjithë shqiptarët dhe personat që e gëzojnë këtë të drejtë. Por nga ana tjetër gjithsecili prej nesh duhet të dijë që ekzistojnë dhe mekanizmat që në rastin që ka problematika mund të çojnë në pezullimin e kësaj të drejte.

Mendoj që kjo nuk është një çështje ende aktuale megjithëse shifrat për të cilat flasim janë vërtet shqetësuese por në përgjithësi thirrja apo këshilla ime për qytetarët shqiptarë është që  mos u nisni në drejtim të Gjermanisë me qëllim azilkërkimin sepse kështu do të dëmtoni vetëm veten dhe vendin tuaj.

Gjithashtu me klasën politike shqiptare dhe median do kisha lutjen për të kontribuar pozitivisht në zbutjen e këtij fenomeni. Pikërisht për këtë arsye e përshëndes dhe intervistën me ju  sepse është mjaft e rëndësishme që mediat të japin kontributin e tyre në këtë drejtim.

Sa është numri azil kërkueseve shqiptar në 15 ditët e para të prillit?

Në fakt nuk e kam shifrën e saktë të dy javëve të fundit, mund t`iu konfirmoj që shifrat vazhdojnë të mbeten shqetësuese veçanërisht ato që i referohen javës së e fundit. Mund t`iu them vetëm brenda një dite ka pasur një shifër prej 600 azilkërkuesish.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: