NGA MARIGLEN MËRTIRI

TIRANË- Amfiteatri në zonën e Liqenit Artificial pas lëngimit më shumë se 30-vjeçar do të rijetësohet duke marrë identitetin e merituar. Bashkia e Tiranës ka miratuar fondin i cili e rikthen një pol të fuqishëm artistik në këtë pjesë të preferuar të kryeqytetit.

Pikërisht kjo arenë arti do të rikonceptohet për t’i dhënë vlerë çdo shfaqje që do të jepet për publikun. Amfiteatri tek Liqeni Artificial ka marrë një zë me rëndësi në buxhetin e Bashkisë së Tiranës për 2017 dhe 2018 që kap vlerën e 490 milionë lekëve.

Agjencia e Parqeve dhe rekreacionit ka gati projektin e rijetëzimit të këtij amfiteatri i cili merr vlerë pasi Teatri i Operës dhe Baletit dhe Teatri kombëtar do t’i nënshtrohen rikonstruksionit.

Ky investim pritet të rikthehet në buxhetin e bashkisë pasi ky amfiteatër do të përdoret pa pagesë për qytetarët që duan të zhvillojnë artin por me pagesë për vendosjen e shfaqjeve në skenë për një publik të zgjedhur.

Rikonstruksioni nuk do të prekë pjesë të qenësishme të këtij objekti por do të përshtatë materialet dhe stolat që të mos ketë dëmtime të idesë fillestare që në ndërtim. Ajo që do të jetë moderne është ndriçimi dhe fonia. Ndërsa rrethimi dhe rrugëkalimet pritet të ruajnë autenticitetin.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb