TIRANË- Analisti Andi Bushati komenton vendimin e djeshëm të kryeministrit Edi Rama për të zëvendësuar 4 ministra të kabinetit të tij qeveritar, mes tyre edhe atë që shpesh e cilësonte si “reformator”, Saimir Tahirin.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, Bushati analizoi faktorët që e kanë shtyrë kryeministrin Edi Rama të kërkonte dorëheqjen e ministrit më të sulmuar sipas tij, si nga LSI, ashtu edhe nga opozita.

“Pas kësaj lëvizje çdo ministër e di që nëse Ilir Meta dhe të tijët fillojnë e destabilizojnë ai nuk e ka më jetën të gjatë. Pra, sa të kemi një qeveri Rama-Meta për fatin e ministrave vendos edhe Ilir Meta. Të gjithë e dimë sulmin frontal ndaj Tahirit, që nga futja e ushtrisë për të luftuar kanabisin e deri tek policët që përgjonin ministrat e LSI. LSI e sulmoi dhe në fund arriti ta marrë kokën e tij. Çdo ministër e di që tani e tutje duhet t’i bindet sa Ramës, aq edhe Metës. Afrimi i sotëm Rama-Meta i ngjan dy njerëzve që i lidh një krim, pra, kurbani i Tahirit. Mund të duken më të fortë për interesin e njëri-tjetrit por para qytetarëve janë më të dobët”,- argumentoi Bushati.

Fakti që shkarkimi i Tahirit erdhi menjëherë pas kthimit të kreut të qeverisë nga Berlini, për Bushatin do të thotë se ka pasur edhe presion ndërkombëtar, për kokën e tij, por shton se Rama e ka marrë këtë vendim në një situatë kaotike.

“Pra, presion mbi Ramën ka ushtruar edhe faktori ndërkombëtar. Ushtrojnë presion tek ai që është i prirur ta hajë më shumë presionin. Fakti që Tahiri u shkarkua direkt pasi Rama erdhi nga Berlini mund të jetë presion ndërkombëtar. Rama është në kaos, në një pikë që nuk di ç’të bëjë, po të analizojmë sjelljen e tij që nga dita kur hoqi Tahirin. Lajmi për Tahirin doli të shtunën se do dorëhiqet apo shkarkohet. Pastaj thuhej nga zyra e shtypit mos e nxirrni lajmin, pastaj që po ikin të gjithë ministrat që janë drejtues qarqesh, pastaj Tahiri tha as ma ka kërkuar, as ja kam premtuar njeriu dorëheqjen. E gjithë kjo ekspoze tregon se ka pasur ankth, se si ky veprim do i shitej publikut. Këto veprime të marra në situatë kaotike, gjithmonë të sjellin këto pasoja. Turp për ketë qeveri që nuk ka një version serioz se pse i hoqi këta ministra. Shoferi (Rama) ka marrë një vendim absurd dhe askush nuk e pyet pse i hoqi. Ia servir shqiptarëve si reformator dhe pastaj i thua më duhet për një qark. Ka diçka që nuk shkon, dhe ajo që nuk shkon më shumë është se askush brenda Rilindjes nuk i kërkon llogari Ramës”,- shtoi Bushati.

Sipas tij, edhe nëse Rama e Meta vendosin për një tjetër marrëveshje parazgjedhore, ajo nuk ka shumë vlerë, në kushtet që opozita kërcënon nga çadrta se nuk do marrë pjesë në zgjedhje.

“Mund të jenë pranë shpalljes së koalicionit të përbashkët, por halli primar lidhet me opozitën që është në çadër, që kërcënon se nuk do marrë pjesë në zgjedhje. Nëse opozita thotë do shkatërroj zgjedhjet çfarë vlere ka nëse Rama e Meta janë bashkë? Aleanca si ajo e 1 prillit nuk ka asnjë vlerë”,- tha analisti.

Lidhur me artikulimet e ardhura nga LSI, për Metën kryeministër, Bushati tha se ka një strategji të caktuar sipas tij.
“Padyshim që Meta do të dojë të jetë kryeministër por mendoj se qëllimi kryesor i tij, strategjia që përdor përherë është që sa herë Rama është në vështirësi t’i heqë nga një tullë. Në ditën që Rama po riformatonte qeverinë, dalin dy ministra të LSI dhe thonë duam Metën kryeministër.
Strategjia e Metës ta godasë Ramën ose ta lërë të humbasë çdo ditë e më shumë. Pak a shumë e njëjta situatë kur po goditej Tahiri. Dilnin ministrat e LSI dhe flsinin për drogën. U duk se Rama thotë hajt se po dorëzohem dhe po ua jap kokën e Tahirit, pastaj dalin ministrat e LSI dhe thonë dale se ne duam Metën kryeministër. Duan të bëjnë leckë Edi Ramën”, deklaroi Bushati.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: