TIRANE– Kryeministri Edi Rama deklaroi synimin që brenda këtij mandati qeverisës, administrata shtetërore të shndërrohet në shërbëtore të qytetarëve, ashtu si duhet të jetë pasi paguhet nga taksat e tyre, dhe të mos luajë rolin e skllavopronarit që ka në duar fatin e njerëzve. Këtë synim ai e vuri në dukej gjatë një takimi në Kryeministri, ku u paraqitën rastet e zgjidhura nga platforma e bashkëqeverisjes me qytetarët.

“Është e domosdoshme që qyetetarët, viktima të administratës, të bashkëpunojnë me ne, dhe të marrin të drejtën e tyre. Por është e rëndësishme që ata që kanë penguar marrjen e kësaj të drejte, që e kanë krijuar dëmin për qytetarët të largohen nga administrata. Njerëzit që paguajë taksa, i paguajnë ato që të marrin në këmbim shërbimet e duhura nga administrata. Nuk mund të tolerojmë që ata që marrin rrogën nga kontributet e të gjithëve t’i trajtojnë qytetarët si të ishin jetimë”, theksoi kryeministri.

Sipas tij, që të ndryshojë situata e 28 vjetëve të fundit në administratë, duhet që viktimat të flasin, të ngrenë zërin dhe jo t’i bien rrugës së gjatë të kërkimit të mikut apo ryshfetit”, nënvizoi kreu i Qeverisë.

Këto komente vijnë pas paraqitjes së rasteve të dy pensionistëve, një nga Tirana dhe një nga Kavaja, të cilët morën zgjidhje nga platforma e bashkëqeverisjes.

Luan Hajçes nga Tirana, i ishte ndërprerë pensioni pa arsye, ndërsa pensionisti Alla nga Kavaja nuk merrte kompensimin e parashikuar me ligj për energjinë elektrike. Rastet e tyre u zgjidhën pasi ata depozituan ankesa në platformën e bashkëqeverisjes, madje u rillogarit edhe masa e pensionit duke përfituar rritje dhe kompensim të parave të mbajtura.

Në koment të këtyre dy rasteve, kryeministri Rama theksoi se qëllimi “nuk është që platforma të zgjidhë dhe administrata të lidhë”. Ai tha se qëllimi është që ata njerëz në administratë që nuk kanë kryer detyrën, që kanë abuzuar me qytetarët dhe që kanë krijuar dëmin, të marrin ndëshkimin e duhur. “Ky mesazh duhet të shkojë tek çdo qytetar, pensionist ose jo, që janë në dukje pa ndonjë pushtet, por me platformën qeverisëse, këta njerëz të marrin “më qafë”, pasi mund të bëjnë të njëjtën gjë si të ishin të pushtetshëm”, theksoi Rama.

“Platforma e krijon këtë mundësi, që një qytetar të ketë akses tek ministri me shpejt sesa një deputet”, vuri në dukje kryeministri.

“Kemi kërkuar votën për të bashkëqeverisur dhe kemi sjellë këtë mekanizëm që ua jep këtë mundësi. Tehu i shpatës është i dyfishtë, zgjidhje për qytetarët dhe ndëshkim për ata që kanë krijuar problemin. Administrata të nisë të kuptojë se nuk bëhet shaka me fatin e një qytetari, që rrezikon punën e ndjekje penale sipas dëmit të bërë ndaj qytetarit. Mund të arrijmë të kemi një administratë shtetërore që i shërben publikut me korrupsion zero.

Nuk duhet paguar rryfshet. Nuk është kjo mënyra më e lehtë sesa të harxhosh tre minuta për të shfrytëzuar platformën”, përfundoi kryeministri Rama.

(BalkanWeb)