TIRANE – Pas firmosjes së arrestit në flagrancë të deputetit Armando Prenga, “topi” kalon në duart e prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.Prokuroria e Përgjithshme ka mbikëqyrur hetimet paraprake në lidhje me plagosjen e shtatë personave në Laç, si pasojë e përplasjes mes familjeve Prenga dhe Cali.

Drejtori i Task­ Forcës, Kostaq Beluri, një nga prokurorët më me përvojë në vend, ka qenë në vendin e ngjarjes gjatë orëve të natës dhe paraditen e djeshme ka drejtuar hetimet në bashkëpunim me Policinë. Në orët e drekës së djeshme, pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe marrjes së deklarimeve të deputetit Armando Prenga në prani të avokatit, ka nisur edhe hartimi i kërkesës drejtuar Kuvendit.Më konkretisht, Prokuroria e Përgjithshme iu drejtua dje në mbrëmje Kuvendit të Shqipërisë me kërkesat: miratimi i arrestimit në flagrancë ndaj deputetit Armando Prenga dhe heqja e imunitetit parlamentar në raport me tri akuzat e ngritura ndaj tij ditën e djeshme. Në shkresën e dërguar nga Prokuroria në Kuvend, Prokuroria kërkon autorizim për arrestimin e deputetit duke garantuar se ka prova që deputeti është i implikuar në ngjarje.

Ligjërisht, ndonëse Armando Prenga është arrestuar në kushtet e flagrancës, brenda afatit prej 48 orësh prokuroria duhet t’i kërkonte Kuvendit autorizimin për ta arrestuar. Nëse nuk e kryente këtë veprim, atëherë urdhër-arresti në flagrancë e humbet fuqinë dhe deputeti mund të dalë i lirë, pavarësisht akuzave që mund të dyshohet se ka kryer. Nëse prokurori i Përgjithshëm i drejtohet Kuvendit, atëherë kërkesa e tij shqyrtohet më së pari në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet. Më parë, ky Këshill duhet të dëgjojë deputetin e dyshuar ose mbrojtësit e tij, e më pas përpilon një raport dhe ia dorëzon Kuvendit. Kreu i Kuvendit, me urgjencë mbledh deputetët, të cilët më pas votojnë për arrestimin ose jo të deputetit. Nëse Kuvendi rrëzon kërkesën për autorizim, atëherë deputeti duhet të lirohet menjëherë. Në të kundërt, për fatin e tij vendos Gjykata e Lartë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: