TIRANE– Presidenti dhe rektori i Universitetit ‘Luarasi’, Ardian Civici dhe Arben Malaj kanë folur në rubrikën ‘Opinion’ në News24 për reformën në arsim, duke u ndaluar tek dija dhe tregu i arsimit të lartë. Civici u shpreh se tregu i arsimit të lartë duhet të jetë transparent dhe cilësor, ndërsa duhet të paguhet një çmim real për treg cilësor.

“Unë dua të ndalem tek koncepti, pra jo pazare për arsimin e lartë. Pra në fund të shkollës ka një kosto për të pasur një arsimim cilësor. Kur themi arsim i lartë duhet të përcaktojmë sa na kushton të përgatisim një student të mirë. Në Shqipëri kostoja në vit për një student për formimin e tij nuk i kalon 600-650 euro, kurse për vendet e zhvilluara shkojnë 7-8 mijë euro për student. Kur themi formojmë tregun e arsimit lartë, duhet të kuptojmë që duhet investim. Shoqëria shqiptare ka një sfidë që duhet të zgjidhet. Duhet të paguajmë çmim real për treg cilësor. Cilësia dhe standardi është në fokus të universiteteve. Kur themi treg i arsimit të lartë duhet të kemi parasysh se një diplomë është një profesionalizim që ndikon pozitivisht për ty dhe për vendin tënd”- tha Civici.

Ndërkohë rektori i universitetit ‘Luarasi’ Arben Malaj tha se reforma e arsimit të lartë duhet të ishte ndërmarrë më parë, ndërsa testi real që bëhet për universitetet është ajo çfarë arrijnë studentët pas arsimimit.

“Ne nuk jemi thjesht rektorë, jemi edhe prindër dhe duhet eliminuar çdo pengesë për përmirësimin e programeve tona akademike .Testi real që do bëhet për universitete është ajo çfarë arrijnë studentët pas shkolle. Shqetësimi është a jemi ne të ndërgjegjshëm, jo vetëm për buxhetin, por rol të madh ka edhe stafi akademik. Shqetësimi jonë kryesor është që të ndërgjegjësohemi. Ne kemi dëgjuar për luftë monedhash, kurse sot është luftë e hapur për talentet. Ne jemi paraqitur dobët për t’i mbajtur talentet brenda dhe duhet bërë më shumë. Janë disa faktorë që na tregojnë se ne jemi dobët. Ne nuk mund të rrisim numrin e talenteve duke krijuar mure. Duhet një polikë më agresive. Problemet zgjidhen duke zgjidhur kapitalin social të një vendi. Shqipëria ka nevojë të rrisë ofertën akademike, duke krijuar akses të njëjtë në SHBA apo Evropë”-tha Malaj.

Rektori i “Luarasit” tha se “Për reformën gjyqësore ka një mesazh nuk është ligji ai që ndryshon një shtet ligjor por kultura e edukimit”.

I pyetur se si mund të bëhet universiteti një vend për talentet dhe jo vetëm për të marrë një diplomë, Presidenti i “Luarasit”, Ardian Civici tha se kjo është një nga gjërat që përmban ligji i universitetit të lartë.

“Nëqoftëse universitetet do të shikohen si qendra mësimdhënie natyrisht krijohet një lloj limontie. Avantazhi i Shqipërisë është kostoja e lirë e fuqisë punëtorë. Do të thotë një fuqi punëtore e pakualifikuar. Vende si Shqipëria e kanë ndryshuar me kohë këtë gjë. Ne duhet ta shtrojmë çështjen realisht, çfarë standardi dhe cilësie kanë studentët që ne nxjerrim. Universitetet zor se kanë politika të kualifikuara për t’i thithur talentet. Ligji i ri e hap shumë më tepër vizionin e universitetit dhe shërbimin e tyre. E bën universitetin cikël të zhvillimit të shoqërisë shqiptare”, shpjegoi Civici.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb