TIRANE- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Z.Artan Didi, mori pjesë në takimin e rrjetit të Grave të Policisë për Europën Juglindore. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit e vlerësoi WPON, si një partner serioz në përpjekjet e përbashkëta për implementimin e barazisë gjinore në organizatën e Policisë Shqiptare dhe njëkohësisht bëri një ekspoze të disa prej akteve kryesore ku mbështetet barazia gjinore dhe diversiteti në Policinë e Shtetit, siç janë “Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore”, politikat e organizatës së Policisë të shprehura në deklaratën mbi diversitetin në Policinë e Shtetit, si dhe masat e parashikuara në Strategjinë e re te zhvillimit te Policisë se Shtetit për periudhën 2014-2020. Po ashtu Z. Didi evidentoi dhe hapat e ndërmarrë për rritjen e rolit të grave në Policinë e Shtetit:

“Në planet tona të veprimit, krahas rritjes së përfaqësimit të femrave në shërbimin policor, ne kemi parashikuar detyra të veçanta për “Integrimin e çështjeve të diversitetit në kurrikulat e Trajnimit Policor”, si dhe për monitorimin e vlerësimin periodik të impaktit të përftuar.

Rritja e përfaqësimit të grave dhe vajzave në shërbimet policore, por edhe përfaqësimi i tyre në të gjitha shërbimet dhe nivelet, janë pikat kyçe jo vetëm të rritjes së performancës së shërbimit policor, por edhe një faktor i rëndësishëm për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe vajzave, duke i bërë ato të ndihen të përfaqësuara, por dhe konfidente për raportimin e rasteve të dhunës ndaj tyre.

Integrimi gjinor në organizatën e Policisë, nuk është i lehtë sa ç’duket në pamje të parë. Ne pranimet e reja për punonjës policie këtë vit, ne kemi aplikuar raportin 50% femra dhe 50% meshkuj, e cila do të vazhdojë edhe në vitet e mëpasme, për të arritur në 17% të limitit organik në fund të vitit 2020. Kjo politikë, në të ardhmen do pasohet edhe me promovimin e më shumë femrave në funksionet drejtuese operacionale.” – u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

Në mbyllje të fjalës së tij Z. Didi theksoi faktin se fuqizimin e rrjetit të vajzave/grave oficere police, duhet ta shohim si një mjet për përballimin e kësaj sfide të përbashkët, pasi eksperienca ka treguar se sfidat përballohen më lehtë kur njerëzit bashkojnë burimet dhe energjitë në një interes të përbashkët. Polica e Shtetit Shqiptar ka marrë presidencën e radhës së Shoqatës të Shefave të Policisë të Evropës Juglindore (SEPCA), u shpreh Z.Didi, dhe kjo na inkurajon dhe obligon që të njohim më mirë punën dhe arritjet e gjithsecilit, por dhe ndërmarrim e zhvillojmë eksperienca e politika sa me efektive për përmirësimin e pozitës dhe rolit te vajzave e grave në shërbimet e policimit.

Ndërkohë Kreu i Komitetit Ekzekutiv të WPON, Zj. Enkelejda Toska, evidentoi disa prej sfidave me të cilat është përballur ky organizëm gjatë 5 viteve të ekzistencës.

“Tashmë kanë kaluar 5 vite nga koha kur ky rrjet u themelua. Në fillim të hapave të tij ishte një rrjet i brishtë, me dilemat e ekzistencës dhe funksionimit të tij, por vizioni i qartë për përmirësimin e statusit të gruas në polici na bëri të bashkojmë forcat dhe energjitë tona. Më vonë me kalimin e viteve, rrjeti me përfaqësueset e tij nga shërbime policore të Europës, Juglindore tregoi vendosmëri, qëndrueshmëri, dedikim dhe profesionalizëm. Me punë tuaj aktive u arrit që ta kthejmë atë në një platformë të fortë rajonale për shkëmbimin e informacionit dhe një mekanizëm të barazisë gjinore në secilin prej vendeve anëtar.”- u shpreh Zj. Toska.

Ky është takimi i pestë i Rrjetit të Grave të Policisë të Europës Juglindore, ku bëjnë pjesë përfaqësuese të larta të shërbimeve policore të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Bullgarisë, Kroacisë, Moldavisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë.

Ky rrjet ka si qëllim kryesor rritjen e ndërgjegjësimit në lidhje me pozicionin e gruas në Shërbimet Policore të Europës Juglindore dhe mbi të drejtat e grave, ngritjen e kapaciteteve për praktikat e policimit me ndjeshmëri gjinore në Europën Juglindore, si dhe ndikimin e rrjetit në nivel kombëtar.

Në aktivitet krahas përfaqësueseve të larta të shërbimeve policore të WPON, merrnin pjesë dhe presidentja e Shoqatës Ndërkombëtare të Grave të Policisë, Zj. Jane Townsley, Koordinatori i iniciativës SEESAC/PNUD Z. Zverzhanovski, përfaqësues të PNUD në Shqipëri etj.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb