TIRANE- Përplasje dhe akuza live mes kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe botuesit dhe analistit Henri Çili në studion e emisionit ‘Studio e Hapur” në ‘News24’. Gjatë një lidhje direkte nga çadra e opozitës  Basha akuzoi Henri Çilin se ka hequr nga puna gazetarë dhe po përfiton në kurriz të studentëve, ndërsa Çili u kundërpërgjigj duke i thënë se ai ka nevojë të trajnohet.

DEBATI:

Henri Çili: Ju akuzoni për turp disa njerëz të lirë që kanë një qëndrm të caktuar dhe ndoshta qeveria do ju akuzojë për turp ata intelektualë, shkrimtarë, gazetarë që vijnë në cadrën tuaj, këto janë opinione palësh…

Lulzim Basha: Nuk është turp të bashkohesh me opozitën? Si është turp të bashkohesh me protestën e qytetarëve? Ku ka njeri që e beson këtë, përvec atyre që kanë zgjedhur të bëjnë avokatinë e qeverisë, apo që jetojnë me llokmat e qeverisë në kurriz të qytetarëve. Intelektualët e pakapur e kanë vendin këtu dhe këtu vijnë ditë për ditë dhe të tjerët. Janë ata që ju ka zënë fytin buka korruptive e kësaj qeverie.

Henri Çili: Janë shumë të respektuar edhe ata që militojnë për një cështje tjetër. Të kërkosh reformën në drejtësi nuk është të bëhesh kundër opozitës.

Lulzim Basha: Ti po flet si shërbëtor i qeverisë, nuk po flet si një njeri i lirë. Më vjen shumë keq se ke hequr nga puna Alfred Lelën dhe shantazhon gazetarët që ke aty, shantazhon pedagogët që ke aty për të mbajtur linjën e qeverisë. Ti duhet të reflektosh thellë për këtë që po bën sepse ke dalë tërësisht nga Henri Cili që unë kam njohur, je bërë një oportunist. Duhet të të vijë keq kur si ata me katër klasë shkollë i bëjnë presion gazetarëve. Duhet të të vijë keq për atë që ke bërë, jo për atë që po bën. Një republikë e re do të lindë dhe republika e re nuk ka vend as për oportunizëm, as për të pavërteta.

Henri Çili: Mua më vjen keq që të gënjejnë…

Lulzim Basha: Kur flas për këtë, flas edhe për gjynahet dhe mëkatet tona. Ne i pranojmë gabimet që kemi bërë dhe jemi të vendosur të ecim me qytetarët drejt një Shqipërie të re, drejt një republike të re ku nuk mund të ketë kompromis me vlerat elementare sic është liria e shprehjes.

Henri Çili: Mua më vjen keq që të gënjejnë kaq lehtë dhe kjo nuk është aspak premtuese. Prandaj keni kohë të përgatiteni si kryeministër i ardhshëm. Prandaj urime këtë javë si lider i opozitës. Të gënjëjnë shumë thjesht. Je i papërgatitur.

Lulzim Basha: Nderimin tim më të madh për gazetarët me integritet, për analistët për analistët me integritet, për të gjithë punonjësit e medias me integritet. Ju bëj thirrje, mos u dëshpëroni, ndryshimi po vjen edhe për ju.

Henri Çili: Zoti Basha, kryetari i opozitës është potencialisht kryeministri i ardhshëm dhe ai ka potencialisht fuqi të bëjë presion. Tërhiqi ato presione dhe gënjeshtra sepse asgjë nga ato nuk është e vërtetë. Jam në qëndrimin tim të lirë sic jam i njohur vazhdimisht. Je i papërgatitur, duhet të vazhdosh gjatë të përgatitesh si kryetar i opozitës. Na intereson të gjithëve një kryetar opozite që trajnohet dhe përgatitet gjatë. Reforma e re do të mbështesë institucionet publike të arsimit të lartë.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb