TIRANE– Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shprehet i vendosur në atë çka deklaruar pas kthimit të tij nga SHBA, se ka mbështetjen e Uashigtonit për kërkesën e protestuesve për zgjedhje të lira e të ndershme.

Basha ka përgënjeshtruar kështu deklaratën e një ditë me parë të Ambasadës Amerikane në vendin tonë, e cila theksoi se “asnjë prej çështjeve të mprehta të aktualitetit politik në Shqipëri, nuk duhet të jetë shfajësim për bojkotin e Parlamentit, bllokimin e zgjedhjeve të reformës në drejtësi”.

Duke folur para protestuesve, në ditën e 38 të protestës, Basha pretendoi serish se ka marrë mbështetje totale në Uashington, duke u shprehur i vendosur se PD-ja do të vijojë tubimin para kryeministrisë me kërkesën për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme, deri në fitore, siç tha ai.

“Ingranazheve të narkomafies shqiptare në qeveri, në media dhe në lobingjet ndërkombëtare dua t’u jap sot një mesazh të qartë: Për këtë betejë, për këtë kauzë, kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kauzën e largimit të krimit nga politika, kauzën e luftës pa kompromis kundër drogës, ky shesh, kjo agorë, Partia Demokratike, Lulzim Basha dhe gjithë shqiptarët e ndershëm, PO, kanë marrë mbështetje totale në Uashington!

Dhe këtë mbështetje e përkthejmë në këtë aksion politik që ka një dhe vetëm një synim, Shqipërinë e standardit europian, Shqipërinë e standardit euroatlantik, asgjë më pak nuk do të pranojmë për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Ndaj me dashamirësi dhe mirënjohje ndaj miqve që na mbështesin pa kushte, me mirëkuptim dhe durim ndaj miqve që kanë akoma nevojë të sqarohen e të kuptojnë surratin e vërtetë të mafias shqiptare, dhe pa asnjë milimetër tërheqje para çdokujt që ka vendosur para interesave të shqiptarëve interesin e xhepit të vet, ju them që; nuk ka e nuk do të ketë asnjë tërheqje.

Nuk do të pranojmë zgjedhje me standard më të ulët sesa miqtë tanë kërkojnë dhe kanë për qytetarët e tyre. Kjo nuk është beteja e radhës, kjo nuk është beteja dosido, kjo është beteja e betejave për Republikën e Re, për Shqipërinë europiane, për Shqipërinë euroatlantike.

Ndaj nuk ka dhe nuk mund të ketë tërheqje. Sepse tërheqje do të thotë rënie e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sepse tërheqje apo dremitje para krimit që bën ligjin do të thotë rënie e Shqipërisë së lirë nga krimi. Sepse tërheqje do të thotë Shqipëri republikë e drogës. Ndaj nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë tërheqje, do të ketë vetëm luftë të vendosur deri në fitore, deri në Republikën e Re, deri në zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa Edi Ramën Kryeministër. Ky është vendimi i popullit tim dhe unë do t’i bindem deri në fitore”, tha Basha.

Një ditë më parë, Ambasada Amerikane në Tiranë sqaroi qëndrimin e SHBA, duke u shprehur se “Qeveria Amerikane mbështet zgjedhje të lira e të ndershme, dekriminalizimin dhe luftën kundër narkotikëve, por këto çështje nuk duhet të përdoren si shfajësime për të bojkotuar Parlamentin, për të bllokuar zgjedhjet apo për të vonuar zbatimin e reformës së gjyqësorit. Nxisim dialogun midis qeverisë dhe opozitës për t’i zgjidhur këto”, – thuhej në deklaratë ku ndër të tjera theksohet se administrata Trump nuk e mbështetin bojkotin e zgjedhjeve nga ana e PD-së.

BASHA: PAKTI I 22 KORRIKUT PËR DREJTËSINË, I ZBATUAR NË MËNYRË TË NJËANSHME NGA HAJDUTI I CEZ-IT
Kreu i PD gjatë fjalës së tij para protestuesve ditën e sotme ka vijuar akuzat ndaj kryeministrit Rama për mbështetje të bandave të trafikut të drogës.

Basha tha se me këto para, ata synojnë të deformojnë votën e qytetarëve shqiptarë.

“Edi Rama, narkomafia shqiptare, mediat e blera me paratë e drogës, me paratë e korrupsionit, i kanë shpallur luftë popullit shqiptar, jo thjesht kësaj çadre, por popullit shqiptar dhe aspiratës së tij për demokraci të vërtetë dhe drejtësi të vërtetë. Këtu në agorë, në këtë shesh të lirisë, ditë për ditë, paqësisht, me zë të lartë përgjegjësie patriotike dhe qytetare, ne shpalosim Shqipërinë e vërtetë.

Por ditë për ditë jemi këtu për t’i kujtuar njëri –tjetrit, shqiptarëve kudo ku janë, miqve tanë nga Uashingtoni në Bruksel, që na duan të mirën, që duan një Shqipëri me zgjedhje të lira dhe të ndershme, me drejtësi të vërtetë, me gjyqtarë të pastër që nuk mbrojnë, por ndëshkojnë korrupsionin, si ky i CEZ-it, nuk mbrojnë por ndëshkojnë faraonët e drogës të bërë njësh me pushtetit, se; në këtë agorë të paqes, të qëndresës dhe të vendosmërisë, kjo që po zhvillojmë është jo më pak se një luftë për jetë a vdekje, për Shqipërinë europiane, për Shqipërinë demokratike, për Shqipërinë euroatlantike.

Mafia ndërkombëtare, narkomafia shqiptare të bërë njësh me Edi Ramën po bëjnë e do bëjnë gjithçka për të mbrojtur milionat e aferave të pisëta korruptive që janë luajtur në kurriz të popullit shqiptar. Po bëjnë e do bëjnë gjithçka për të ruajtur miliardat e drogës, të kanabisit, heroinës e të kokainës me të cilat financojnë politikën e tyre, lobistët e tyre, me të cilat mendojnë se mund të blejnë të vërtetën për të shtypur një herë e mirë aspiratën e këtij populli për drejtësi të vërtet, për demokraci të vërtetë. Ndaj në këtë luftë ka vetëm dy rrugë.

Rruga e parë, rruga që dëshirojnë kundërshtarët dhe armiqtë e lirisë dhe demokracisë është të tërhiqemi, ta pranojmë si fatin tonë të keq Edi Ramën dhe klikën e tij mafioze e cila me paratë e korrupsionit dhe të drogës dëshiron të diktojë përsëri zgjedhje sipas vullnetit të krimit dhe mafias dhe jo sipas vullnetit të qytetarëve shqiptarë. Rruga tjetër, rruga që ju keni zgjedhur tash 38 ditë, rruga që unë jam zotuar para jush se nuk do t’i ndahem deri në fitore, është rruga e qëndresës, është rruga e vendosmërisë, rruga e përballjes, rruga e betejës.

Në këtë rrugë, ne kemi me vete faktet, kemi me vete të vërtetat, ne kemi me vete shpresën, aspiratën e çdo shqiptari për një Shqipëri të lirë nga krimi, për një Shqipëri të lirë nga korrupsioni, për një Shqipëri të lirë nga tirania e varfërisë, që ul kokat e prindërve para fëmijëve të tyre nga mëngjesi deri në darkë. Dhe kjo rrugë mund dhe do të kalojë vetëm përmes një shtegu: zgjedhjeve të lira dhe të ndershme pa Edi Ramën Kryeministër, me një qeveri teknike, zgjedhje të standardit eruropian”, tha Basha.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: