TIRANE- Kryesia e PD ka dalë me një vendim unanim që ka të bëjë me nisjen e një analize gjithëpërfshirëse që do të përfshijë çdo demokrat dhe çdo simpatizant të kësaj force politike. Në përfundim të mbledhjes së Kryesisë që ka zgjatur 4 orë, Lulzim Basha tha para mediave se ky vendim synon ta kthejë PD në një parti më të fortë.

Ai theksoi se është i vendosur “të bëjë të mundur që zëri i çdo anëtari të PD të dëgjohet”.

I pyetur nga gazetarët mbi fraksionet brenda PD, Basha theksoi se për sa kohë ai do të drejtojë këtë force politike, nuk do të ketë ndasi brenda saj, por do të punohet për një qëllim të përbashkët.

Basha u shpreh se PD nuk ka kundërshtarë brenda vetes së saj, por kundërshtar të vetëm ka vetëm “një person që përfaqëson aleancën me krimin”.

“Sa kohë të jem unë kryetari i PD nuk do të ketë fraksione në PD, por do të ketë hapësirë për çdo demokrat që do të kontribuojë për një qëllim të vetëm, qëllimin kombëtar për të çliruar vendin nga zgjedha e krimit, që i përdori Rama për të marrë pushtetin.

Bashkimi i demokratëve do të bëhet rreth vlerave si shqiptarë, si patriotë, si europianë, bashkim që demokratët e bënë edhe në 25 qershor.

Virtyti i një vendimi unanim është sepse janë rrahuar të gjitha mendimet, sepse nuk është lënë asnjë pa dëgjuar, dhe asnjë argument pa u rrahur nga të gjitha drejtimet e mundshme, në mënyrë që të merret vendimi i duhur. Për të dalë nga ky proces si një Parti Demokratike më e fortë.

PD nuk ka kundërshtarë brenda vetes së saj, ka vetëm një kundërshtar, dhe ky kundërshtar nuk është thjesht një person, por ajo çka përfaqëson ky person, aleanca e krimit. Dhe ne jemi përballë tij si aleanca e vlerave”, u shpreh Basha.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: