Ajo që është përfolur kohët e fundit në media është vërtetuar vetë nga kapiteni i Partizanit. Idriz Batha në një prononcim të fundit ka bërë të qartë të ardhmen e tij larg klubit të kuq.

“Po, nuk mund të vazhdojmë dot më. Më vjen keq ç’është e vërteta që gjërat rrodhën kështu. Por nuk mund të them se jam i zhgënjyer se nuk mund të hedh poshtë në dy javë të gjithë atë që kam kaluar në këto vite. Nuk mund të ma hedhin poshtë dy ndeshjet e fundit.

Një vit për t’u harruar dhe që nuk i shkon përshtat fanellën e Partizanit. Kam bindjen se gjërat u ndërtuan keq që në fillim, që me ardhjen e Moxhit dhe njerëzve që erdhën në verë të Partizanit. Ndikuan shumë afrimet dhe largimet e Partizanit.

Është e vështirë në futboll që të ecësh para, pa pasur një grup që luajnë prej kohësh së bashku. Ne që quheshim “garda e vjetër”, që nuk ekzistonte fare në ekip, ishte si një presion për ne, pasi na faturohej gjithçka. Ishte një term i gabuar “garda e vjetër”, pasi ne të gjithë luftonim vetëm për një qëllim, që të shkonte sa më lartë Partizani.

Partizani më i fortë ishte me Ekubanin në sulm, me Torasën dhe Cetkovicin. Nuk ka dyshim për asnjë tifoz, që ai ishte më i forti. Dëshirë kam që të provoj veten me një aventurë jashtë vendit dhe shpresoj që t’ia arrij qëllimit, prandaj nuk po bisedoj me klubet në Shqipëri. Jam duke pritur disa mundësi që kam për jashtë dhe nëse kjo nuk realizohet, atëherë do të shoh variantet në Shqipëri”, ka thënë Batha për “Supersport”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb