TIRANE – Deputeti socialist, Erjon Braçe pohoi dje për herë të parë se mund të pranojë kandidimin si kandidat për kryetar Bashkie të Tiranës. Gjatë një interviste për “Vizion Plus” në emisionin “Oktapod”, Braçe tha se e pranon “po të jetë punë”, por nuk e pranon “po të jetë ofiq”.
Përgjithësisht njihet toni yt denoncues. Tani që ka kaluar 1 vit e gjysmë nga qeverisja e majtë… gjithë ato denoncimet që ti ke bërë, ka shkuar ndonjë dosje në prokurori?
Prokuroria nuk ka pasur kurrë kurajën të investigonte qoftë edhe njërën prej tyre. Përkundrazi, kam shkuar unë në gjykatë për rastin e një kompanie. Është një kompani koncesionare e naftës, që tani u shua dhe i ka transferuar aksionet në një kompani tjetër. Një çështje që unë nuk e lë. Po vazhdoj ta shoh, po vazhdoj ta investigoj. Natyrisht, edhe në kontakt me autoritetet shqiptare…
Ka ndryshuar qasja e prokurorisë tashmë?
Nuk shikoj të ketë ndryshuar, përveçse lëvizje në raport me dosje të forta kriminale, që kanë të bëjnë me krimin e organizuar apo edhe me krimin ordiner. Por, në aspektin e goditjes së korrupsionit, përveç rastit të vjedhjes së thesarit në Bankën e Shqipërisë, nuk kam parë ndonjë rast që të jetë vërtet i fortë, solid, e që të ketë përcjellë tek opinioni publik lajmin e mirë që gjërat kanë ndryshuar edhe në ngritjen e akuzës, edhe në gjykimin e akuzës.
Në aksionin në Lazarat, ata që u kapën ishin të gjithë “peshq të vegjël”, sepse për baronët e mëdhenj të drogës aludohet se nuk u kapën kurrë. U shkatërruan parcelat, u prish fshati, por nuk u kap asnjë njeri i rëndësishëm. Ndërkohë që mendohet që lidhjet politike të këtyre njerëzve që kultivojnë drogën janë shumë lart, apo jo? Dhe s’është naive të mendosh që Lazarati mbrohej nga lart, nga politika, pa hyrë në detaje nga e majta apo e djathta?
Jo, jo nuk është kështu. Unë natyrisht që nuk i njoh ata baronët e drogës në Lazarat, se po t’i njihja, do flisja me emra e mbiemra për ta. Për fat të keq është tjetërkush që i njeh, ai që thotë se nuk janë kapur akoma. Ai i di shumë mirë dhe për herë të parë pas 8 viteve qeverisjeje… Kur thotë (Berisha) që baronët e drogës së Lazaratit nuk janë kapur, duhet të thotë që është “filani, filani”. Ia ka detyrim opinionit publik dhe pasi të thotë këtë, të kërkojë ndjesë se përse nuk i kapi për 8 vite me radhë. Kjo është e para. E dyta, natyrisht që i takon Policisë së Shtetit që ta investigojë ngjarjen deri në fund. Dhe e treta, pasi janë të gjithë në burg pas kaq e kaq muajsh, do të duhet që prokuroria të marrë në pyetje e të hetojë jo një nga një, por veprimtarinë e tyre si një grup kriminal, i organizuar, jo vetëm për kultivimin, por edhe për rezistencën me armë kundër Policisë së Shtetit…
Mbas koalicionit të 1 prillit, ju e keni zotin Meta tashmë aleat. A vazhdon LSI të jetë një parti e bazuar mbi interesin e një individi?
Unë di që kemi një program të përbashkët, që është votuar në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, në funksion të një marrëveshjeje të përbashkët që ka qenë tërësisht parimore dhe që ka në thelb disa vlera që po manifestohen dhe në qeverisjen e përbashkët, jo individuale. Natyrisht që gjithsecili po bën detyrën e tij. Në qoftë se më pyesni për zotin Meta, ai është kryetari i Kuvendit të Shqipërisë dhe ju besoj e shihni apo e patë edhe gjatë kohës që opozita ishte brenda në parlament, që ka një frymë tërësisht të ndryshuar brenda Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Pavarësisht atyre akteve banale që janë të shëmtuara dhe që nuk duhet të ndodhin më, por që nuk varen nga kryetari i Kuvendit.
Ka vërtetë kaq demokraci të brendshme në PS?
Ka pasur dhe ka, dhe do vazhdojë të ketë. Ka pasur demokraci dhe do të ketë brenda PS-së, sepse elementi themelor që ne na ka bashkuar aty është liria dhe gjithsecili mbron lirinë e tij aty brenda. Unë kam edhe një ves tjetër, që ndërtoj ca mure për të mbrojtur lirinë time dhe s’lejoj që të hyjë dikush brenda atyre mureve. Në PS ka edhe debat, edhe konflikt që ka në thelb parimin.
Kanë gjetur mbështetje nga zoti Rama propozimet për kthimin e koncesioneve?
Në një pjesë të gjërave po, në një pjesë e gjërave ende. Për shembull, kur flasim për koncesionimin e një sërë veprimtarish që janë praktikisht publike dhe që janë koncensionuar në 2 muajt e fundit para zgjedhjeve të 23 qershorit dhe janë koncesionuar në kushte monopoli, natyrisht që duhet një veprim më agresiv. Po e jap lajmin këtu për herë të parë, qeveria po lëviz në drejtim të kontrollit të monopolit të kolaudimit të automjeteve, duke u dhënë mundësi edhe operatorëve të tjerë ta ushtrojnë këtë veprim. Pra, po thyhet një monopol, i cili i ka detyruar njerëzit që të zënë dhe hotel për të paguar detyrimet e tyre, për kontrollin dhe kolaudimin e automjeteve. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me koncesionin e markimit të karburanteve. Pra, duhet shpërbërë si monopol.
Keni kritikuar presidentin Bujar Nishani për shkeljen e ligjit për Bankën e Shqipërisë…
Unë vazhdoj ta gjykoj dekretin e Presidentit të Republikës si në kundërshtim me ligjin për Bankën e Shqipërisë, deri tani, në këto momente. Se ç’do të ndodhë nesër, nuk e di. Po nuhas që po sajon diçka. Presidenti i Republikës thotë që kam një kuptim timin për Kushtetutën dhe për ligjin. Natyrisht që është në dëm të këtij vendi që mendimet intelektuale për Kushtetutën dhe për ligjin të kthehen në akte, siç është edhe dekreti për Presidentin. Pikërisht për këtë arsye e kam ftuar edhe Presidentin e Republikës të flasë për paligjshmërinë në raport me 2 anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë. Janë që të dy në shkelje haptazi të ligjit dhe që të dy të angazhuar politikisht në mënyrë partiake. Ligji e ndalon kategorikisht të merren me veprimtari politike aktive. Me gjithë respektin për funksionin e Presidentit të Republikës, zoti Nishani po vazhdon të bëjë funksionin e partisë, jo të Presidentit të Republikës.
Ju vetë ju josh ideja nëse do ju propozohej të ishit kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës?
Po të jetë punë, po. Po të jetë ofiq, jo.
Përse nuk ju bëri ministër zoti Rama?
Po ju dukem më pak se ministër?! Gaboheni!
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: