Kombëtarja U-21 e drejtuar nga Alaban Bushi do të luajë me datë 23 dhe 27 mars dy ndeshje shumë të rëndësishme për eliminatoret e Europianit. Në këto sfida që më shumë mundësi do përcaktojnë shumë për kualifikimin ose jo, tekniku Bushi do të ketë dy mungesa të rëndësishme si Kristal Abazaj dhe Ylber Ramadani, të ftuar në Kombëtaren A nga Panucci.

Në një intervistë të dhënë për ‘Zona Gol’ Bushi ka treguar se i ka kërkuar Panucci-t të kishte në skuadër Ramadanin, por italiani nuk ka pranuar pasi kombëtarja e madhe ka disa mungesa.

“Nuk besoj se do ndihet mungesa e tyre, pasi edhe lojtarët që kanë ardhur, janë të gatshëm të japin maksimumin dhe t’i zëvendësojnë denjësisht. Nuk kemi Abazajn, por kemi Seferin dhe Manajn, lojtarë që mund të vendosin një ndeshje. Unë dua vetëm që lojtarët të vrapojnë mirë, pasi vetëm kështu mund të kapim kundërshtarin. Kështu që nuk ka keqardhje, pasi jemi të bindur se do marrim maksimumin. Na ka ardhur Ndoji, futbollist që më herët është grumbulluar nga Panuçi dhe normalisht që do të jetë një vlerë e shtuar në mesin e fushës.

Fola me Panuçin që të më linte Ramadanin të paktën deri më datë 24 për ndeshjen, por nuk pranoi dhe e mirëkuptova. Edhe për mungesën e Abazajt nuk kisha dijeni deri para dy ditësh, por dëmtimi i lojtarëve të skuadrës së parë, bëri që Panuçi ta kërkonte në skuadrën e tij. Me trajnerin kemi një komunikim mjaft të mirë, për të mirën e Shqipërisë.

Kampionati shqiptar ka ardhur në ngritje graduale dhe tani po prodhon shumë futbollistë cilësorë, ndaj edhe fokusi im është maksimal. Gjithsesi vlen të përmendet se ka një lloj inferioriteti psikologjik të lojtarëve që luajnë në Shqipëri, ndaj atyre që vijnë nga jashtë dhe këtë duhet ta eliminojmë ne me punën tonë. Gjithsesi ka lojtarë mjaft interesantë si Fangaj, Krymi, Çinari, ndonëse ky i fundit nuk ka qenë pjesë e Shpresave, por edhe ata që nuk luajnë me Shpresat, nuk duhet të dorëzohen, pasi Kombëtarja A arrihet edhe pa luajtur më parë më Shpresat.

Një lojtar duhet të tregojë veten te Shpresat fillimisht dhe më pas ftesa nga Kombëtarja e madhe vjen vetë. Shembulli ideal është Ramadani, që punonte te Shpresat me seriozitetin maksimal, pa e pasur mendjen te ekipi A dhe ftesa erdhi vetë për të, ndaj mendoj se duhet që të gjithë të ndjekin rrugën e tij. Gjithsesi, unë mendoj se ne kemi shumë lojtarë që mund të përfaqësojnë me dinjitet Kombëtaren e madhe, duke filluar që nga portieri Selmani, e deri te sulmuesit, Ne po presim edhe Rei Manajn, që do të vijë dhe do të tregojë veten, ndaj mund të them se e ardhmja e Shqipërisë është në duar të sigurta.”

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb