“Nuk më kujtohet asgjë çfarë ka ndodhur atë ditë”. Kjo ka qenë fjalia e vetme që Gerald Baramuça, i mbijetuari i aksidentit ajror të ndodhur javën e kaluar në Shkodër, u ka thëne hetuesve.

Ushtaraku i mbijetuar është marrë në pyetje pasditen e të dielës në spitalin ushtarak pasi mjekët u konfirmuan hetuesve se gjendja shëndetësore e tij ishte stabilizuar. Hetuesit i kanë thënë ushtarakut se kanë një listë pyetjesh për të cilat kanë nevojë për përgjigje në kuadër të zbardhjes së ngjarjes.

Ditën e sotme Prokuroria ka vendosur që kamera regjistruese e helikopterit bashkë me cipin e saj elektronik të memories, të dërgohen në Gjermani për tu hapur dhe për të shkarkuar prej saj pamjet dhe
materialet zanore që ajo ka regjistruar.

Prokuroria administroi në dosje edhe autopsinë e dy viktimave. Sipas ekspertëve të mjekësisë ligjore, vdekja e pilotëve ka ardhur pas shokut traumatik të pësuar nga përplasja me ujin. Vdekja ka qenë e
menjëhershme.

Shtabi i FA­ve u ka dorëzuar hetuesve planin e fluturimit ku thuhet se helikopteri me tre persona në bord është ngritur nga Farka në ora 12:10. Ai ka vazhduar fluturimin duke u lokalizuar në Tujan, sipër Qafë Murrës, në Qafë Buall, në vazhdim në Shupenzë zonë e Peshkopisë. Më pas ka vazhduar drejt Kukësit, ka kaluar në Qafë Luzhë, ka vazhduar në Qafën e Valbonës, mbi Tropojë deri mbi Vermosh.
Në vazhdim mjeti ka fluturuar në zonën e Rapstarjes në Koplik dhe më
pas është kthyer për në Shkodër.

Aksidenti ka ndodhur në 13:45, kur pilotët kanë humbur komunikimin e sinjalin me kullën e radarëve të ushtrisë. Më pas komandanti i regjimentit të Helikopterëve, ka urdhëruar një mision kërkim shpëtimi me një helikopter të dytë me plan fluturimi në zonën e humbjes së kontaktit të EC­145. Helikopteri i dytë ka konstatuar edhe rrëzimin e të parit në Liqenin e Shkodrës. (Panorama)
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: