TIRANE– Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka komentuar qëndrimin e deputetit të kësaj force politike, Robert Bitri, i cili ndryshe nga deputetët e tjerë të opozitës, nuk ka braktisur seancën e sotme plenare. I ftuar në rubrikën “Oponion” në “News 24”, deputeti Vasili tha se opozita është e vendosur në qëndrimin e saj.

I pyetur mbi mundësinë e largimit të ndonjë deputeti nga radhët e LSI, nisur edhe nga rasti i sotëm i deputetit Bitri që reagoi ndryshe nga grupi parlamentar, Vasili tha se:

“Nuk kam asnjë shqetësim për asnjë njeri që nuk ka më motive të militojë në një forcë politike me një ritëm të tillë si është LSI, ata që kanë ritme të tilla dhe janë pre e meskiniteteve të vogla janë një lajm i mirë të mos jenë në një forcë që ka tjetër standard politik”.

Deputetët e opozitës braktisën seancën plenare paraditen e sotme, pasi në të mori pjesë ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Por ndryshe nga ata, deputeti i LSI Robert Bitri qëndroi në sallën e Kuvendit për të votuar edhe ligjet në rendin e ditës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb