TIRANE- “News 24” dhe “BalkanWeb” kanë mbërritur në banesën ku djali 28-vjeçar Selman Aliaj vrau me çekiç të atin 74-vjeçar, Fejz Aliaj dhe trupin ia hodhi në një kanal dytësor pranë liqenit të Farkës.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se familja Aliaj kishte zbritur nga Kukësi vite më parë dhe ishin vendosur në zonën e Shkozës aty ku kishin ndërtuar me mund një banesë përdhese, ndërsa jetonin në kushte të vështira ekonomike.

“BalkanWeb” mëson se i vetmi konflikt që ka pasur viktima me fëmijët e tij, ka qenë divorci me bashkëshorten pak vite më parë. Një pjesë e fëmijëve nuk e kanë pritur mirë dhe janë larguar në emigrim, ndërsa Selmani i papunë ka qëndruar në banesën përdhese më të atin. Fqinjët hedhin dyshime se ndoshta ky konflikt mund të jetë ndezur sërish mes babait e të birit, ç’ka ka sjellë edhe fundin tragjik.

Selman AliajFejz Aliaj
Gjendjen e vështirë ekonomike ku jetonin e konfirmon edhe fakti që prej kohësh kishin nxjerrë në shitje banesën e tyre.

I moshuari njihej në zonë si një njeri punëtor, e prej kohësh punonte me tricikël. Mjeti me ngjyrë blu ndodhet përpara banesës. Fqinjët thonë se edhe i biri, ndonëse i papunë, nuk shquhej si njeri problematik.

Sakaq familjarët kanë hapur dyert e mortit dhe askush nuk pranon të flasë për këtë ngjarje të rëndë, aq më tepër për faktin se i biri jo vetëm e masakroi me çekiç në gjaknxehtësi e sipër, por edhe u mundua të fshehë ngjarjen, duke e hedhur trupin e të atit në një kanal dytësor pranë liqenit të Farkës.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb