DURRES- Zbardhen të tjera detaje nga rrjeti i prostitucionit që drejtohej nga 37-vjeçari Gentian Gaxha, i cili u arrestua ditën e sotme nga Policia e Durrësit. Gazetarja e ‘News24’ Klodiana Haxhiaj, bazuar në informacionet e siguruara nga burime pranë grupit hetimor, raporton për ‘BalkanWeb’ se 3 vajzat inicialet S.P., B.A., dhe K.Xh. 17 vjeçe secila, që shfrytëzoheshin si prostituta nga Gaxha ishin nga Durrësi, Kuçova dhe Burreli.

Të njëjtat burime theksojnë se ka qenë pikërisht një grua ajo që ka rekrutuar vajzat, e më pas ato janë marrë në dorëzim nga 37-vjeçari. Mësohet se adoleshentet ishin strehuar në një hotel në autostradën Tiranë-Durrës, dhe u gjenin klienta ‘vip’. ‘BalkanWeb’ ka mësuar se pagesa për çdo klient varionte në jo më pak se 100 euro. Sipas policisë, dyshohet se është një rrjet i gjerë që merret me trafikimin dhe rrjetin e prostitucionit që u gjente klient ‘vip’ 17-vjeçareve.

SI U ZBULUA RRJETI I TRAFIKUT
Rrjeti i trafikut u zbulua falë një kallëzimi të një nënë nga Durrësi më 28 dhjetor. Ajo denoncoi largimin nga banesa të dy vajzave të saj, 14 dhe 17 vjeçe. Pasi kishte hetuar policia, vuri re se dy vajzat ishin rekrutuar nga një grua dhe më pas ajo ia kishte ‘shitur’ 37-vjeçarit, që ishte pjesë e trafikut. Burime nga grupi hetimor pohuan se 37-vjeçari kishte shfrytëzuar për prostitucion 17-vjeçaren, dhe jo 14-vjeçaren, e cila ishte kthyer në shtëpi. Ngjarja në fjalë nxiti për nisjen e hetimeve, duke zbuluar kështu trafikun.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb