TIRANE- Katër komandot e Forcave të Armatosura, Ylber Tokrri, Aleksandër Shkulaku, Klevis Lamkaj dhe Reni Ajazi do t’i nënshtrohen një gjyqi ushtarak në rast se arrestohen në Britani, vend ku qëndruan pas mbarimit të një trajnimi.

Ndërsa ende nuk ka asnjë gjurmë nga ata të katërt, vjen edhe një reagim i ambasadës Britanike në vendin tonë. E kontaktuar nga “BalkanWeb”, Ambasada Britanike i cilëson krejtësisht individuale veprimet e komandove dhe sqaron se një gjë e tillë nuk do ndikojë marrëdhëniet e Mbretësisë së Bashkuar me FA.

“Këto janë veprime individësh dhe që sado zhgënjyese, nuk ndikojnë marrëdhënien e fortë e të vazhdueshme mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë”, thuhet në reagimin e ambasadës britanike për BalkanWeb.

Kujtojmë se Ministria e Mbrojtjes pas këtyre veprimeve ka bërë kallëzim penal në Prokurori, e cila ka nisur procedimin penal ndaj tyre dhe ka nxjerrë urdhër-ndalimet që i janë dërguar autoriteteve në Britaninë e Madhe. Pas ndalimit atje, në bazë të marrëveshjes mes dy vendeve, do të ekstradohen në Shqipëri, ku rrezikojnë të dënohen nga 1 deri në 5 vjet burg për shkelje të betimit dhe mosparaqitje tek eprorët.

Braktisja e detyrës nga katër komandot duket se ka qenë e menduar pasi burime për “BalkanWeb” thanë me herët se një familjar i njërit prej tyre i ka ndihmuar duke iu premtuar punë. Dy prej prindërve të komandove kanë folur për News24 dhe kanë deklaruar se ata janë detyruar të qëndrojnë në Britaninë e Madhe për arsye ekonomie, pasi paga e tyre ishte shumë e ulët në Shqipëri.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: