* Majko: Largohem nga këtu nëse të huajt emërojnë gjyqtarët, apo ka ndonjë shkronjë që preket sovraniteti
* Shehi: Thelbi nuk është tek data, 21 korrik, por të gjendet një zgjidhje
TIRANE- Reforma në drejtësi është vënë në qendër të debateve në seancën e sotme plenare. Ish-kryeministri Sali Berisha ka theksuar se opozita nuk pranon emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga të huajt. Ai vlerësoi ndërkombëtarët por deklaroi se emërimi i gjykatësve dhe prokurorëve nga të huajt bëhet vetëm në protektorate.

Por në përgjigje, kreu Komisionit të Posaçëm për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj, tha se PD ka probleme me vettingun dhe BKH, pasi ka frikë nga hetimet.

Më herët deputeti Dashamir Shehi tha se duhet të gjendet një zgjidhje për reformën, duke theksuar se nuk është thelbi tek miratimi pikërisht më 21 korrik.

Shehi tha se “pa një drejtësi ekzekutive e të pushtetshme në vendimmarrje nuk do të ketë drejtësi”.

Ndërsa deputeti Ben Blushi ka shprehur shqetësimin se reforma në drejtësi është shumë afër dështimit. Nga foltorja e Kuvendit, Blushi tha se mungesa e drejtësisë në vend përbën rrezik për qytetarët e vendit dhe sigurinë e tyre. Duke u ndalur tek ngjarja e djeshme, ku një makinë shtypi për vdekje një nënë, e cila po kalonte rrugën me dy fëmijët e saj, Blushi tha se kjo ndodhi për shkak të mungesës së drejtësisë.

Kur duhet vetëm një javë nga miratimi i saj në Kuvend, Partia Demokratike e opozitës iu përgjigj dje me një propozim të sajin formulës së kompromisit të ofruar nga Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, për kapërcimin e ngërçit që pengon miratimin e reformës.

Sipas opozitës, vëzhguesve ndërkombëtare në procesin e verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë nuk mund t’u jepen kompetenca kushtetuese. Ambasada amerikane në Tiranë u shpreh e zhgënjyer nga përgjigja e demokratëve, por edhe Delegacioni i BE-së në deklaratën e tij u shpreh se “besueshmëria e reformës në drejtësi varet përgjithësisht nga besueshmëria e verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Për ta garantuar këtë, një rol i kufizuar specifik i komunitetit ndërkombëtar përmes Operacionit Ndërkombëtar Monitorues, është thelbësor”.

Ndërkohë, që sipas kryeministrit Rama, refuzimi i demokratëve lidhet me frikën ndaj paanshmërisë dhe besueshmërisë së Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Kuvendi në seancën plenare të ditës së sotme ka në rend dite shqyrtimin e tre pr/ligjeve: një ndryshim në ligjin “Për programet sociale të strehimit”, disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për të huajt”, si dhe ratifikimin e “Marrëveshjes së Parisit, në kuadër të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara, për ndryshimet klimatike”.

MAJKO: LARGOHEM NGA KËTU NËSE TË HUAJT EMËROJNË GJYQTARËT, APO KA NDONJË SHKRONJË QË PREKET SOVRANITETI
Deputeti socialist Pandeli Majko tha se në draftin e propozuar për reformën në drejtësi, nuk ka asnjë pikë që prek sovranitetin e vendit. Sipas Majkos, nëse ka diçka të tillë, apo emërim të prokurorëve nga të huajt, ai do të largohet nga Kuvendi.

“Prokurorët nuk do emërohen nga të huajt. Largohem nga këtu nëse të huajt emërojnë gjyqtarët. Po kështu, nëse ka një shkronjë që preket sovraniteti, unë iki nga këtu. Po biem dakord me pikën 88, nga i nxirrni këto broçkulla. Këto broçkulla po futin në rrezik shqiptarët. Po sikur të na heqin vizat, çfarë do të bëni?”, tha deputeti Majko.

TOPALLI: XHAFAJ HETUES NË KOMUNIZËM, MORI LIDERSHIPIN PËR REFORMËN NË DREJTËSI
Deputetja demokrate Jozefina Topalli ka qenë në një linjë me ish-kryeministrin Berisha për çështjen ende të pazgjidhur për reformën në drejtësi. Ajo tha se nuk duhet t’u jepet kompetencë kushtetuese të huajve por të bëhet marrëveshje.

“Sigurisht që ky sistem është i degjeneruar, ka gjykatës që e kanë bërë zift. Sigurisht ka nevojë për reformë në drejtësi por me qetësi. Majkon e shoh si ndër socialistët më të ndershëm. Por ku ishte ti Pandi kur kryetari jot fuste kriminelë në grupin parlamentar, si nuk të dëgjova asnjë fjalë. Nuk të dëgjova as kur kryetari juaj fliste kundër liberalizimit të vizave. Fatmir Xhafaj është kryetari i reformës kushtetuese. Ka qenë hetues në kohën e diktaturës dhe komunizmit. S’më duket normale që të marrë lidershipin e zgjidhjes së reformës në drejtësi. E di që ju vjen keq kur përmenden disa të vërteta. Mos i merrni gjërat as me inat as me xhelozi por me parime dhe të bazuara tek komisioni i Venecias. Kalojeni nga kompetencë kushtetuese në ligjore, në marrëveshje”, tha Topalli.

XHAFAJ: VENECIA KA VLERËSUAR PUNËN E EKSPERTËVE, PD KA PROBLEME ME VETTINGUN DHE BKH
Kreu Komisionit të Posaçëm për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj, tha se PD ka probleme me vettingun dhe BKH, pasi ka frikë sipas tij nga hetimet.

“Sa më shumë njerëzit rriten në moshë, bëhen më njerëzorë. Por kur e dëgjoj zotërinë që flet këtu, nuk më asnjë emocion, jo vetëm se koha e tij thjesht ka mbaruar, por me as shoh edhe mendja e tij ka mbaruar. Do doja të ishte këtu se i kam përgatitur një surprizë, po do jetë herë tjetër. Unë jam i nderuar që kam punuar me grupin e ekspertëve. Edhe vetë Komisioni i Venecias që ju e përmendni më shpesh është i nderuar me punën me ekspertët. Për këta ekspertë që ju mundoheni t’i bëni pis, i vlerësojnë të gjithë, edhe ai Komisioni i Venecias që ju përmendni. Ju keni hallin e vettingut, dhe pastrimin e prokurorisë dhe gjykatës nga të korruptuarit dhe të paaftët. Problemi i dytë është se jeni të ndershëm, e keni problemin dhe prokurorinë speciale dhe BKH”, tha Xhafaj.

BERISHA: JEMI KUNDËR EMËRIMIT TË GJYKATËSVE E PROKURORËVE NGA TË HUAJT
Ish-kryeministri Sali Berisha e ka nisur fjalimin e tij në parlament duke përshëndetur nënkampionen e Europës në atletikë, Luiza Gega. Më pas ai ka ftuar deputetët të mbajnë 1 minutë heshtje për 37-vjeçaren që humbi jetën dje në një aksident në Tiranë.

“Ju kërkoj Një minutë heshtje për nënën luaneshë që dha jetën duke shpëtuar vogëlushët e saj, të ndjerën Dhurata Doku. I paharruar kujtimi i saj. Dëshmon vlerat më të larta njerëzore”, tha Berisha.

Duke u fokusuar tek reforma në drejtësi, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama si një njeri që nuk e do konsensusin dhe se vendosi në komisionin e ekspertëve të nivelit të lartë për hartimin e draftit ‘komunistë’.

“Prej disa kohësh Parlamenti është rrokur nga një debat për reformën në drejtësi. Dua t’u them qytetarëve shqiptarë se opozita shqiptare ka 1000 arsye të jetë krenare para jush për kontributin e saj të jashtëzakonshëm që dha që nga fillimi i këtij procesi deri dje, nesër dhe ditët që vijnë. Ky proces Edi Rama e filloi me vendimin e tij. E filloi me vendimin e tij absurd të përjashtimit të opozitës nga procesi duke mashtruar vendas dhe të huaj se shqiptarë nuk është se kanë bisht por një gjë kanë ata, në fjalorin e tyre fjala konsensus nuk ekziston. Sigurisht fjala konsensus nuk ekzistonte për Edi Ramën që udhëhiqet nga parimet anti vlerë, nga urrejtja më e madhe njerëzore që celebronte fitoren me 1 mln grushte ndaj opozitës, etërit e tij thoshin 1 mln plumba ndaj armiqve. Rama ngriti të famshmin komision të ekspertëve të nivelit të lartë, me në krye kryetarin e partisë komuniste të drejtësisë”, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij Berisha theksoi se PD nuk është kundër ndërkombëtarëve dhe mbikëqyrjes së tyre, por është kundër dhënies së sovranitetit. Sipas tij, ndërkombëtarët nuk kanë të drejt të zgjedhin prokurorë e gjyqtarë. Berisha theksoi se Shqipëria nuk është vend protektorat si Bosnja dhe Kosova. “Emërimin nuk e pranojmë. Emërimin ua kanë bërë protektorateve. Ua kanë bërë 2 vendeve, e ka Bosnja dhe Kosova”, u shpreh ai.

“I bëj thirrje Llallës të hapë çështje ndaj tij Xhafajt. Ky grup pasi mori një valixhe me lekë bëri ndryshime. Mendove dhe për kunatin ti …(i drejtohet Xhafatj Majko). I shpreh mirënjohje më të thellë grupit të opozitës të cilët bënë një punë serioze të jashtëzakonshme. Ia djergur ‘Venecias’ një nga një vërejtjet e tyre. ‘Venecia’ ua nxori lakrat. Arben Raki është një kriminel i njohur. Shkoni në Elbasan dhe shihni sa mizor ka qenë. Ju flisni këtu çdo kasetë që ju jep Edi Rama, por do vi dita. Nuk mund të godisni opozitën. Ju thoni ‘Fluturon-fluturon gomari çdo ditë, se kështu ju thotë Edi Rama’. A jemi ne kundër rolit të vëzhgueseve? Jo. jemi pro mbikëqyrjes se ‘Vetingut’ nga ndërkombëtarët, por jo dhënie sovraniteti. Pse? Mendoni për një moment që shqiptarët ti bëjnë letër Angela Merkel, që të jemi landi i 17-18. Gjermanët do thonë rrini aty e ndërtojeni aty demokracinë. Po pse ata do ndërhyjnë të emërojnë gjyqtarët e prokurorët? ‘Vetingun’ ia kam vlerësuar ndërkombëtarëve.”, tha Berisha.

“Emërimin nuk e pranojmë. Emërimin ua kanë bërë protektorateve. Ua kanë bërë 2 vendeve, e ka Bosnja dhe Kosova. Qeveria e Ismail Qemalit, emëroi gjykatësin. OKB të ndihmon të ndërtosh shtetin. Ju qenkeni pro amerikanëve ne jemi qesharakë. Ne udhëhiqemi nga një sens mirënjohje, por besojmë se po japim edhe ne kontributin tonë.

Pse gjithë kjo e drejtë e opozitës, nga buron kjo? Sepse opozita nuk ka kërkuar qoftë edhe një favor minimal, përveçse ka bërë gjithçka që kjo reformë të miratohet.

E thotë Venecia pse.  Po ta lexosh opinionin me syzet e kryetarit të Partisë komuniste të drejtësisë Fatmir Xhafaj ashtu do e lexosh. Ndërkombëtarë nuk mund të emërojnë. Ju na kërkoni që të votojmë në parlament raportet e miqve tanë, miq të shkëlqyer. Kjo s’mund të ndodh sepse ata nuk kanë shtetësi shqiptare, se lejon kushtetuta shqiptare.

Hajde të heqim nga Kushtetuta Shqipëria shtet sovran. Ju udhëhiqeni nga një psikologji e vjetër e bllokmenëve, që nxirrnin në treg çdo gjë të tyren vetëm port të ruajtur karrigen. Këtë bëjnë bijtë e tyre sot, shihni si lehin, sulmojnë opozitën”, deklaroi Berisha.

Berisha tha se propozimi i fundit i PD-së është i shkëlqyer por mund të negociohet. “Ne jemi për reformën, negocioni propozimi i fundit i opozitës është një propozim për mua i shkëlqyer por them është një propozim i negociueshëm. Këto media që nga mëngjesi në darkë marrin listën e qeverisë i kanë dhënë zero informacion shqiptarëve për draftin që ka dorëzuar opozita. E pafalshme. Për ata që kanë marrë lapsin për të shkruar, kanë harruar se janë shndërruar në mercenarë të qeverisë. Cili prej tyre nuk qëndron, cili prej tyre cenon pavarësinë e drejtësisë. Kujtoni se kemi impresion nga drejtësia juaj? Kurrë. Njëherë kishit vënë në Gjykatën Kushtetuese gjykatësin, anëtar i kryesisë së PS. Që me vendimin e fundit kishte varur Havzi Nelën”, tha Berisha më tej.

NDREU-PD-SË: ÇLIROJENI DREJTËSINË, SE E KENI KAPUR KEQ. MIRATONI REFORMEN
Nga foltorja e Kuvendit, deputeti i PS-së Pjerin Ndreu deklaroi se duhet të lihen mënjanë të gjithë diskutimet për reformën në drejtësi, ndërsa ajo duhet të votohet sa më parë. Sipas tij PD po gjen justifikime me faktin se ‘Rama ka kapur drejtësinë’ apo ‘Ndërkombëtarët cënojnë sovranitetin’, ndërsa pohoi se opozita duhet ta lëshojë drejtësinë.

“Reforma në drejtësi është kryetema e shqiptarëve. kam dëgjuar disa militantë të djathë që kanë një teori të re; Hë mo se nuk e doni drejtësinë as ju e as PD. Këto janë artikulime të militantëve të PD. Si deputet jam gati ta votojë reformën në drejtësi. Në gjithë historinë e ngjarjeve për reformën në drejtësi, në asnjë rast nuk kam parë që deputetë të PS të thonë diçka kundër reformës në drejtësi. Këto histori të stisura nga mendjemëdhenj nuk na bëjnë më përshtypje. Jo po e ka kapur Rama drejtësinë, jo po do e kapin ndërkombëtarët këto nuk shkojnë. Lëshojeni ju drejtësinë të PD, se në të PS nuk e kemi. Janë të njëjtët autorë të PD, fatkeqësitë dhe disa majtas dhe artikulojnë emra të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Çlirojeni drejtësinë, se e keni kapur keq. I bëj thirrje PD se mund të ngrini një mijë e një histori si alibi, nuk mund të bëni reformë në drejtësi. Po të ishit burra, ta ruanit sovranitetin e drejtësisë nga korrupsioni. Për sa kohë drejtësia nuk është ruajtur nga korrupsioni, me çfarë argumenti vini dhe thoni se po ruani drejtësinë nga humbja e sovranitetit. Kur ju intereson thoni se ndërkombëtarët ju interesojnë, kur s’ju interesojnë thoni s’bëjnë.

DASHAMIR SHEHI: GJYQTARËT E PROKURORËT, NË GOJËN E POLITIKËS ÇDO DITË. TË GJENDJET NJË ZGJIDHJE PËR REFORMËN
Deputeti Dashamir Shehi, në seancën e sotme plenare i ka bërë thirrje palëve dhe ndërkombëtarëve që të gjejnë një zgjidhje për reformën në drejtësi. Shehi tha se nuk është thelbi tek data, 21 korrik, pasi kjo mund të ndryshohet, por e rëndësishme sipas tij është të arrihet konsensusi.

“Do t’i kërkoja palëve, ndërkombëtarëve, që të gjithë bashkë ta marrin një vendim. Nuk është se detyrimisht duhet të jetë data 21 korrik, mund të shtyhet edhe në gusht. Nuk është kaq e rëndësishme çështja e datës, por çështja që po diskutohet. Duhet ë gjendjet një zgjidhje që të vlejë për këtë, se ka dy vite që po bëhen diskutime. Kemi nevojë për një drejtësi që të jetë efiçente. Vendi po kriminalizohet në mënyrë të përshpejtuar, dhe pa një drejtësi efiçente, të pavarur, do të jetë e pamundur që politika t’i dalë në krye kësaj çështje.

Gjyqtarët e prokurorët janë në gojën e politikës çdo ditë, e normale që do korruptohen më shumë se më parë”, tha Shehi.

BLUSHI: S’BËJ PROFETIN E SË KEQES, POR REFORMA ËSHTË AFËR DËSHTIMIT. MUNGESA E DREJTËSISË VRAU DJE NJË NËNË
Deputeti Ben Blushi ka shprehur shqetësimin se reforma në drejtësi është shumë afër dështimit. Nga foltorja e Kuvendit, Blushi tha se mungesa e drejtësisë në vend përbën rrezik për qytetarët e vendit dhe sigurinë e tyre. Duke u ndalur tek ngjarja e djeshme, ku një makinë shtypi për vdekje një nënë, e cila po kalonte rrugën me dy fëmijët e saj, Blushi tha se kjo ndodhi për shkak të mungesës së drejtësisë.

“Unë s’dua të bëj profetin e së keqes, por reforma në drejtësi është shumë afër dështimit. Sa aftësi ka kjo klasë politike për të zgjidhur çështje jetike për vendin. Nëse reforma në drejtësi nuk kalon në këtë sallë, ndoshta nuk ka për të ndodhur asgjë. çështja është kush janë kostot. Mungesa e drejtësisë në Shqipëri është e dhimbshëm. Një grua u vra dje në mes të Tiranës. A ka lidhje kjo me reformën në drejtësi? Ka, se ky çmenduri që e vrau është liruar nga Gjykata. Para 2 muajsh në autostradë një grua tjetër me 3 fëmijë, po shkonte të takonte burrin në burg. Trafik ndarësja në rrugë me vendim gjykate duhet të ishte në vend, po ja që nuk ishte këtu. Kjo është mizori, mënyra sesi shteti vret qytetarët e vet, duke shmangur drejtësinë.

Deputeti i është drejtuar sërish kreut të Bashkisë së Kavajës, duke përmendur faktin se ai qeveris njësinë bashkiake nga shtëpia, pasi ndodhet në “arrest shtëpie”.

“Këtu nuk ka drejtësi. Kavaja qeveriset sot nga një njeri, që nuk është kryetar bashkie, por qeveris nga shtëpia, se ka marrë arrest shtëpie. A mund të funksionojë kështu drejtësia. Edhe në Dibër po të shkojmë, Shukriu po kërkon kthimin në detyrë.

Një deputet këtu ka qenë, përdori armën për një punë të vetën personale. Po edhe Ballist Morina kishte një pistoletë pa leje, është në burg akoma. As europianin nuk pati mundësinë ta shihte, edhe pse ai pati kontribut që na çoi atje. Kjo është kosto e mungesës së drejtësisë. Pse nuk po ndodh reforma në drejtësi. Arsyeja e Lulit dhe Edit, dihet, se është një drejtësi e munguar për 25 vite. Mungesa e drejtësisë ka larguar investitorët e huaj, mungesa e drejtësisë largoi 1 mln shqiptarë nga vendi, mungesa e drejtësisë vrau dje një grua në rrugë”, tha Blushi.

Nga ana tjetër kontroversi Blushi theksoi se duket gati e pamundur që reforma në drejtësi të votohet më 21 korrik.

“Për shkak të kësaj paaftësie, për të gjeneruar konsensus për çështje themelore, edhe takohemi sa të duam se s’na pranojnë në BE. Në fakt nuk duam të shkojmë, se nuk jemi gati të shkojmë në BE. Pse ekzistojnë gjykatat në botë? Për të korrektuar, për të dënuar, për t’i vënë kufij një shoqërie. Do ishte një mrekulli sikur të kishim mundësi ta votonim reformën në drejtësi pas një jave, por më duket e pamundur. Asnjëherë kjo mundësi nuk u ezaurua”, tha Blushi.

Teksa u ndal tek iniciativa e tij dhe disa deputetëve të tjerë për të zgjedhur presidentin nga populli, Blushi tha se kjo nuk u mbështet nga parlamenti, pasi duhen 28 firma.

“Kishit mundësi që të pyesnin popullin, nëse e donin apo jo. U la në një boks-një kuti, dhe e latë brenda kësaj salle dhe ajo nuk ka ajër. Ka ardhur koha që populli të marrë disa vendime. Ndaj çdo vendim që marrim ne është a i deformuar, ose i dëmshëm, përderisa nuk marrim mendimin e popullit. para dy javësh këtu firmosëm një iniciative kushtetuese për të ndryshuar zgjedhjen e presidentit nga populli. Ishim 10 deputetë. Kemi kërkuar firmosje, duhen 28 firma. Askush nga ju nuk e firmos. Nuk më habit më që tre partitë e mëdha nuk i jepni votat. Demokracitë me delegim vjen një moment që kalonin vendimet. Kam kënaqësi t’ju them se për 2 javë kanë nënshkruar online 10 mijë qytetarë formularin që presidenti i republikës së Shqipërisë të zgjidhet nga populli. Janë më të zgjuar se ju. E di që deri në datën 21 korrik, askush nga ju tre partitë e vjetra nuk do e jepni votën dhe firmën që ta çoni presidentin në popull”, pohoi Blushi.

Blushi ndër të tjera nuk kursehu as një përgjigje për PDIU-në, ndërsa e cilësoi atë ‘Dje qime të PD-së dhe sot fshesa e qeverisë’.

“Doli dikush këtu dhe u qa; Na vodhët presidentin. Ishte një parti që dje ishte qimja e PD dhe sot fshesa e qeverisë që tha se i vodhëm projektin. S’kam parë fjalim më të shëmtuar”.

(ed.me/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: