TIRANE – Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë për të ndihmuar në zbardhjen e ngjarjeve që tronditën Tiranën ditën e djeshme. Pas publikimit të pamjeve filmike, ku autori me biçikletë duket teksa vendos eksploziv pranë farmacisë së babait të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e këtij personi.
“Cilido që mund të ketë sado pak të dhëna në lidhje me pamjet filmike për personin që është në këto pamje, të mos hezitojë por të telefonojë në numrin pa pagesë 129. Policia e Shtetit garanton anonimatin e plotë dhe të sigurt të telefonatës”, -thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.
Ndërkohë Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet lidhur me zbardhjen e ngjarjes dhe për identifikimin e autorëve të tre shpërthimeve me tritol mëngjesin e të martës në kryeqytet.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb