TIRANE- Të tjera detaje janë zbuluar për 23 vjeçaren e cila humbi jetën në aksidentin e të mërkurës mbrëma në autostradën Tiranë-Durrës.

Ndërsa ende nuk është arrestuar tropojani që shkaktoi aksidentin tragjik pas mesnatës së të mërkurës, ku vdiq 23-vjeçarja Elena Avdillari dhe taksisti që po e shoqëronte drejt Tiranës Bujar Agalliu, të tjera detaje mësohen mbi lëvizjet e vajzës.

“BalkanWeb” mëson se Elena Avdillari ka hyrë rreth orës 21 të mërkurën dhe ka bërë check-in në Portin e Durrësit. Pas check-init, Avdillari është kthyer nga policia kufitare pasi rezultonte të kishte shkelje me kohën e qëndrimit në shtetin Italian, siç mëson “BalkanWeb”.

Ajo kishte udhëtuar katër herë drejt Italisë, por herën e fundit kishte shkelur afatin 90 ditor ose tre muaj të lejuar për shtetasit e vendeve që nuk janë në zonën Shengen. Nisur nga kjo shkelje 23-vjeçarja nuk u lejua të udhëtojë drejt Italisë.

Burime të “BalkanWeb” bëjnë me dije se Elena kishte tentuar të udhëtonte edhe në 10 janar drejt Italisë, nëpërmjet aeroportit të Rinasit por sërish e kishin kthyer.

Në çantën e vajzës së re, bashkë me sendet e saj personale policia gjeti edhe biletën vetëm vajtje për në Itali. Nga rrëfimi i nënës, Rozafa Glloga, Elena punonte atje me shoqet, punë për të cilën s’kishte më shumë dijeni. Nëna tha gjithashtu se e bija i mbante me lekë, pasi gjendja ekonomike e familjes së saj ishte e vështirë.

NGJARJA
Aksidenti i rëndë ndodhi rreth orës 23:30 të së mërkurës. Elena Avdillari ishte nisur për në Itali, për rrethana ende të paqarta ajo nuk është ngjitur në traget, por është rikthyer. Rreth orës 23:00 ajo ka marrë në lagjen nr:3 të Durrësit, taksinë e drejtuar nga Bujar Agalliu për t’u kthyer në Tiranë. Por gjatë rrugës, në afërsi të Maminasit, sipas policisë, makina tip “Benz” me targa AA 060 SP, e ka goditur nga mbrapa mjetin taksi me targa DR 475 TX.

Drejtuesi 60-vjeçar ka humbur kontrollin dhe makina ka ecur disa metra duke u përplasur me bordurën e një karburanti. Sipas ekspertëve që po hetojnë ngjarjen, drejtuesi i “Benz”-it po lëvizte me rreth 200km/orë, kurse taksia me 80 km/orë. Dyshohet se për shkak të rrugës mjaft të amortizuar së fundmi, shoferi i taksisë ka qarkulluar në korsinë e shpejtësisë, ndonëse ka qenë me rreth 80 km.

“Benz”-i, që ka qenë me shpejtësi të madhe, i ka bërë sinjal me drita për të hapur krahun. Taksia e ka hapur pjesërisht, por për shkak të errësirës dhe shpejtësisë së madhe, “Benz”-i e ka goditur në fenerin e majtë atë.

Për aksidentin, sië thonë burime pranë grupit të hetimit, po hetohen në dy pista, ku veç ngjarjes aksidentale për shkak të shpejtësisë së “Benz”-it, nuk përjashtohet edhe një ngjarje e mundshme e qëllimshme. Policia ka shpallur në këkim shtetasin Fatjon Zhaporja, drejtuesi i mjetit tip “Benz”.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb