TIRANE- “Enean e vranë policët në komisariat. Kishte shenja të zeza në të gjithë trupin. Kokën dhe mjekrën e kishte të çarë”. Kështu deklaroi bashkëshortja e 27-vjeçarit Enea Ftoi, i cili ndërroi jetë në ambientet e komisariatit të Korçës.

E ftuar në emisionin ‘Me zemër të hapur’ në ‘News24’ Entela Ftoi akuzoi publikisht policinë e Korçës se kjo e fundit fshihet pas vdekjes së burrit të saj, baba i tre fëmijëve të mitur, shkruan “BalkanWeb”, dërkohë që blutë pohuan se ai vdiq për shkaqe natyrale.


Nga studio e emisionit Entela kërcënoi publikisht punonjësit e policisë, që sipas saj kanë lidhje me vdekjen e burrit të saj. Entela mes lotëve tha se nëse shteti nuk bën drejtësi dhe gjen autorët, ajo do të bëjë vetëgjyqësi, shkruan ‘BalkanWeb’.

NGJARJA
Enea Ftoi ndërroi jetë më 17 maj në ambientet e paraburgimit të Korçës, ku kishte tre ditë që qëndronte pasi ishte ndaluar për ‘vjedhje me dhunë’. Ftoi ditën kur ndodhi ngjarja, duhej të dilte në sallën e gjyqit për akuzën që rëndonte ndaj tij. Ndonëse familjarët e prisnin atë në sallën e gjyqit, ata u njoftuan për ngjarjen e rëndë. Fill pas ngjarjes, familjarët e viktimës hodhën akuza të rënda, për policinë, pasi kanë dyshime se djali i tyre është dhunuar në paraburgim, që i ka shkaktuar edhe vdekjen. Po ashtu familjarët akuzojnë punonjësin e policisë, Arqile Ropi, pasi pretendohet se ai ka ushtruar dhunë ndaj tij. Mes të tjerash familjarët deklarojnë se disponojnë fakte dhe prova që Enea Ftoi është dhunuar dhe më pas vrarë. Ata kanë bërë foto dhe video, ku duken qartë sipas tyre shenjat në trupin e tij.
me zemer te hapur
INTERVISTA
Kur e takuat Enean për herë të fundit? Si e morët vesh lajmin që ai kishte rënë në burg?
Ishte në komisariat. Mua më thanë disa njerëz që ‘Enean e ka kapur policia’. Ata e kishin goditur me shkelma. Si u mor në pyetje, unë kaloj tek muri i policisë: Më tregon historinë e tij dhe më tregoi se më kanë bërë copa policët. Enea përdorte drogë. Kur del polici, më thotë; “Na sillni metadonin”. Por ata edhe i dhanë edhe hapje, medikamente të tjera. Ai më tha; mu trash gjuha, nuk flas dot. Më pas më tha që më kanë bërë gjilpëra. Shkova në drekë, t’i çoja bukën, thirrja nga muri. Enea nuk mu përgjigj. Shkova prapë në orën 15:00. Shkova të kërkoja policin me emrin Guri. E pyeta se si ishte Enea ai më tha se i kishin dhënë qetësues. “Ik se po fle” më tha shef Guri. Shkova në orën 08:00 të mëngjesit në komisariat. Thirra ‘Enea’ se kishte gjyqin. Kur pyeta policinë me tha se po e vishnin, po e bënin gati. Ne shkuam në gjyq, por nuk erdhi Enea. Ai nuk erdhi, ndërkohë gjyqi vazhdonte. Unë ndërhyra dhe u thash; po si vazhdoni gjyqin kur i pandehuri nuk është në këtu. Unë mendoj se po bëhej gjyqi kur Enea kishte dy ditë që kishte vdekur. Kur u afruam në komisariat, pash dy policet e turnit dhe i pyeta duke thirrur; A ka vdekur Enea?! Kemi pritur 4 orë dhe s’na erdhi njeri. Ata e dinin që kishte vdekur dhe nuk lajmëronin familjarët. Ne e ndaluam mjetin që transportonte trupin e Eneas në morg. Shkova në morg dhe kemi shkelmuar fort kangjellat dhe kemi parë Enean me gjuhë jashtë, me sy të nxirë, dhe i çarë tek mjekra. Dhe tek koka i vrarë. Kemi parë krahun, që i kishte rënë përdhe. I ishte thyer. Kishte shenja dhune në trup, në kurriz shumë të nxira. Kur hymë sërish në morg, pamë që gjuha ishte future brenda dhe shenjat ishin zhdukur. Por ekspertët thanë ai nuk kishte shenja dhune.

Çfarë ndodhi me burrin tuaj atëherë sipas ekspertit?
Më thanë se ishte vdekje natyrale. Ai ishte i varur nga droga. Enea ishte një person që nuk vuante nga asnjë gjë. Ditën e parë ai na foli, ditën e dytë jo.

Prej sa kohësh e përdorte metadonin?
Që prej dy muajsh Enea përdorte metadonin. Ne kemi vajzën e vogël, që tani na bën 1 vjeç. Enea nuk ka qenë as i dhunshëm, as agresiv. Ne na mbante kisha me të ngrenë, 3 ditë hanim, tre ditë jo. Punë kemi kërkuar të dy.

Çfarë kishte bërë Enea herën e parë kur kishte rënë në burg?
Ai vodhi një ushqim të prishur diku në një dyqan. Dhe unë në atë kohë isha shtatzënë. Unë isha 14 vjeç kur u martova me Enean. 15 vjeçe linda vajzën. Kur e dashurova Enean, ata më hoqën nga shkolla. Por unë dola kundër vullnetit të tyre dhe u largova nga aty. Shkova tek shtëpia e Eneas. Enea nuk ishte njeri i keq. Kur kam lindur vajzën e tretë Enea ka qenë në burg. Kur ka dalë ka thënë vetëm një fjalë; ne do ta ndërtojmë jetën se e kuptuam se ça është familja. Por duke mos pasur asgjë, a mund ta ndërtojë jetën një njeri?!

Çfarë e detyroi që të vidhte serish?
Vajzën e dytë e kam të sëmurë me një qendër të zemër. Tani i është bërë një xhungë. Ajo duhet të bënte një ndërhyrje 4-5 mijë euro. Por unë skam as një pjatë gjellë. Kur iku, ai puthi 3 fëmijët tha; babai do vij dhe ne do ikim.

E parandjeve se ça do ndodhte atë ditë?
Nuk e mendova, pasi isha e sëmurë. Kisha qenë në spital dy ditë më parë.

Prej sa kohësh pinte drogë?
Prej 3-4 vitesh. Madje edhe prindërit e mi e morën vesh dhe më thanë lërë. Tani se di se ça do bëj. Nuk kam forcë që të mendoj se ça do bëj. Në këtë siklet që jam bashkë me fëmijët e mi, dua vetëm drejtësi. Ligji është ligj, dhe ai zbatohet. Dhe jo kush bën gabim, dënohet me vdekje.

Cili është apeli juaj, si do ia bësh tani?
Nëse shteti, qeveria nuk e gjen, unë dhe fëmijët e mi do t’ua marrim jetën këtyre personave. S’mund të shtyj jetën kur të shoh vërdallë ata që ia morën jetën.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb