TIRANE- Zhvillohet sot në Tiranë Forumi i Biznesit Shqipëri-Itali me pjesëmarrjen e 200 delegatëve dhe rreth 350 sipërmarrje italiane. Në fjalën e tij para të pranishmëve, ambasadori Alberto Cutillo tha se interesi i kompanive italiane për të investuar në Shqipëri ka ardhur në rritje.

“Ndonëse Italia është partneri tregtar kryesor në Shqipëri, mes dy anëve të Adriatikut ka impenjim për të forcuar marrëdhëniet tregtare”, tha ai.

Duhet pasur në vëmendje Integrimin rajonal, si një pikë e rëndësishme, ambasadori italian thotë se “Shqipëria mund të bëhet dera hyrëse në BE për të gjithë rajonin”.

“Sforcimet e Shqipërisë për të qenë në BE kanë qenë të mëdha pohon ambasadori”, ndaj ai thotë se vendi ynë meriton një datë specifike për anëtarësimin. Kjo, sipas tij do të sillte sfida të tjera, që modeli ekonomik në rastin konkret të ishte kah atij europian.

Ky Forum i kushtohet marrëdhënieve dypalëshe politike dhe ekonomike si dhe mundësive për bashkëpunim dhe investim që ofron tregu shqiptar. Në këtë takim është i pranishëm kryeministri Edi Rama, ministri i Financave Arben Ahmetaj, dhe Ivan Scalfarotto, kryetar i delegacionit, zv.ministër i Zhvillimit Ekonomik.

“200 kompani të Confindustria-s Italiane në Shqipëri, për një kapitull të ri investimesh që krijojnë punësim dhe ekonomi”, shkruan kryeministri Rama teksa bashkëngjitur përcjell live aktivitetin në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”.

FORUMI I BIZNESIT, ZV.MINISTRI SCALFAROTTO: INVESTIMET ITALIANE NE SHQIPERI JANE RRITUR
Misioni Italian mbërriti në Tiranë të dielën, udhëhequr nga zv.ministri i Zhvillimit Ekonomik Ivan Scalfarotto.

Ivan Scalfarotto, zv ministri i Zhvillimit Ekonomik pranë Misionit Italian tha se Italia ndonëse është shumë afër zgjedhjeve të përgjithshme, nuk hoqi dorë nga iniciativa të tilla që janë tejet pozitive për të dy vendet.

Duke cituar që 10 vitet e fundit shkëmbimet tregtare mes dy vendeve janë rritur me 80%.

Të dhënat e Bankës së Italisë tregojnë që investimet italiane në Shqipëri arrijnë në 3.5 mld euro.

“Kemi shumë gjëra të përbashkëta, gjeografia, kultura, mikpritja. Kjo marrëdhënie duhet të vijojë edhe në aspektin ekonomik që na lidh bashkë. Ka shumë elementë që dua të përmend. Njohja e gjuhës ul kostot mes dy palëve në biznes. Në Shqipëri një punonjës është relativisht më i lirë”, tha Scalfarotto.

Tri sektorët ku do të fokusohet Misioni, shtoi sakaq ai, është ai Infrastrukturor, Përpunimi Ushqimor dhe Energjia (Green Tech).

“Misionit i Sistemit është nisma e jashtme më e rëndësishme që Qeveria italiane organizon për të favorizuar ndërkombëtarizimin e kompanive italiane dhe do të ketë qëllimin e dyfishtë që të ofrojë një mundësi të jashtëzakonshme për të përkrahur aktivitete dhe investimet të reja italiane, si dhe për të konsoliduar praninë e shumë kompanive italiane tashmë të pranishme në Shqipëri”, tha ai.

AHMETAJ: SHQIPERIA OFRON MUNDESI TE MEDHA PER INVESTIME. QATO: LEHTESTOJME PROCERURAT E BISNESIT
Ministri Arben Ahmetaj ndau me të pranishmit histori të publikuara në mediat italiane për të treguar ndihmën e ofruar nga Italia për vendin tonë.

Ahmetaj theksoi se ndërmarrja e reformave të thella strukturore ka kthyer faqen e historisë së vendit, drejt zhvillimit dhe një rritje ekonomike 3.8-3.9%.

“Borxhi publik po ulet, konsumi privat dhe investimet kanë nxitur rritjen. Performanca e eksporteve të shërbimeve dhe mallrave kanë qenë në rritje”-tha ministri.

Shqipëria, ndonëse një treg i vogël me 3 mln konsumatorë, e parë në syrin rajonal, ofron shumë mundësi, sipas kreut të Financave shqiptare.

Ndërsa Ministrja e Sipërmarrjes Sonila Qato, u bëri thirrje bizneseve italiane që të eksplorojnë mundësitë e investimeve potenciale në vendin tonë.

“Lehtësimi i procedurave të biznesit, reforma në drejtësi do ta bëjë Shqipërinë një vend shumë tërheqës për të investuar”, tha ministrja Qato.

“Jemi pranë çdo investimi dhe gjej vendin këtu për t’i thënë bizneseve italiane që kuadri ligjor mbështetës dhe taksimi i favorshëm e bën sot më shumë se kurrë Shqipërinë vend i duhur për të investuar”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb