NGA FATMIRA NIKOLLI

Katër automjete të zeza, me motor ndezur kanë zënë hollin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Tymi i tyre, ai tym që prodhohet brenda, del jashtë, përmes tubacionesh. Ambienti i brendshëm nuk ndotet, i jashtmi është gjithsesi i ndotur. Zhurma e motorit endet në shumicën e hapësirave të folesë së artit pamor, thërret, zgjon, a bezdis, idetë, projektet që rreken të përçojnë mesazhe edhe për ekologjinë.
Galeria, institucioni më i rëndësishëm i këtij arti në vend, ka strehuar këto katër makina(dëshmi të kapitalizmit), punë e spanjollit Santiago Sierrës, në kuadër të ekspozitës “Punëtorët dalin nga studioja. Duke mos parë më realizëm socialist”, një ekspozitë që përball artin e socrealizmit, me këtë të kapitalizmit, në teknika të ndryshme, nga vizatimi tek piktura, skulptura, instalacioni, fotografia dhe videoja.

Artistët bashkëkohorë që ekspozohen janë: Irin, Ciprian Muresan (Rumani), Santiago Sierra (Spanjë), Jonas Staal (Hollandë), Sarah Vanagt (Belgjikë) e Armando Lulaj(Shqipëria).

Përkrah veprave të të parëve, janë vënë vepra të nxjerra nga fondi i GKA-së, të artistëve: Fuat Dushku, Kristaq Rama, Kujtim Qamo, Mumtaz Dhrami, Nelo Llukaçi, Sotir Kosta, Thoma Thomai, Anastas Kostandini, Hasan Reçi, Qamil Grezda, Sali Shijaku, Zef Shoshi, Isuf Sulovari dhe Spiro Kristo. Artet përballen që të krahasohen, e mes tyre krahasohen edhe artistët (këta të demokracisë) e ata (të komunizmit).
Sipas konceptit të kuratorit Mihnea Mircan “Pavarësisht dallimeve mes varianteve kombëtare të tij – ku kryesore janë intensiteti propagandistik dhe riprodhimi i shumëfishtë ikonografik – Realizmi Socialist ngre në piedestal punën dhe – drejtpërsëdrejti apo tërthorazi – atë pushtet që vë punën dhunshëm në shërbim të vetes. Për t’iu kthyer titullit të ekspozitës, punëtorët, në mënyrë simbolike, janë të mbyllur në fabrikë duke prodhuar, rrahur me çekan, gdhendur e lustruar realitete të reja: një dalje nga historia përmes triumfit të komunizmit”.

Ai shënon se arti i Realizmit Socialist nuk qe kurrë në gjendje të asimilonte ndryshimet revolucionare të jetës politike dhe sociale që pritej të paraqiste, e nuk qe në gjendje as të përballonte dallgën e shokut të liberalizimit që i rrafshoi ato. Një art realist social “i ardhshëm” është një artikulim i ripërtërirë për lidhjet mes artit dhe politikës, mes pamundësisë për autonominë e artit dhe pamundësisë për pafuqinë e tij.

Por, ndërsa ideologjitë përplasen, me dëshmitë e tyre, ndërsa kërkohet të vihet theksi tek ndryshimi mes një grupi makinash me motorë të ndezur dhe një skulpture të një punëtori me lopatë(të dyja si forma arti), drejtori i GKA-së, Artan Shabani, sqaron se “në një ekspozitë me një theks të fortë mbi politikën në art, Galeria Kombëtare e Arteve është një forum që lejon artistët të shprehin idetë e tyre ashtu si ata e shohin realitetin. Qëndrimet politike të artistëve janë qëndrime të tyre individuale. GKA në këtë rast është një territor asnjanës, si hapësira detare ndërkombëtare që nuk i përket askujt, e kënaqur të jetë një strehë ku artistët kanë mundësinë të shprehen”. Shabani, largon nga institucioni që drejton ato shigjetime të mundshme, që ose nuk do ta kuptojnë, ose nuk do ta shijojnë këtë formë të artit. Mbase për këtë arsye, ai sqaron që në fillim të konferencës për shtyp, se “ arti është një këndvështrim personal dhe se breza të ndryshëm shohin në të njëjtën vepër gjëra të ndryshme, të varura shumë edhe nga konteksti”. Ndërsa nuk dihet se si do e presin këtë krahasim epokash e stilesh artistët e socrealizmit, Shabani, falënderon artistët shqiptarë, edhe ata që nuk jetojnë, të cilët, bazuar në një botëkuptim modern dhe bashkëkohor, i bënë veprat e tyre pjesë të këtij projekti, e në rastin kur artistët nuk jetojnë më, ai falënderon familjarët e trashëgimtarët e tyre që me nuhatje intelektuale kuptuan se gjëja më e mirë që ndodh me një vepër arti është kur ajo ekspozohet dhe hyn në sferën e përbashkët të debatit artistik dhe memories kolektive pamore. “Kuratori Mihnea Mirkan e ka trajtuar në një formë shumë origjinale këtë ekspozitë duke ndërthurur me vizion kritik dhe historik atë art që trajton sot me forcë realitetin social në botë dhe fragmente nga arti i realizmit socialist që përmban koleksioni i Galerisë Kombëtare krijuar tek ne dekada më parë”, nënvizon Artan Shabani.

Një rrëfim nga Ljubjana
Dusan Mandic është një artist 60-vjeçar nga Ljubjana. Anëtar i grupit Iëvin që ekspozon në GKA, ai rrëfen eksperiencën e tij në art dhe mendimet e hershme për Shqipërinë tabu. “Miqtë e mi të grupit, kanë qenë edhe më herët në Tiranë, unë vij për herë të parë. Gjatë periudhës jugosllave Shqipëria për ne ishte një lloj tabuje. Dinim diçka për Enver Hoxhën, udhëheqësi i njohur socialist, ashtu siç ne kishim Titon deri më 1980. Shqipëria për ne ishte mister. Ne shkonim në Kosovë, por ishte ndryshe”, kujton Mandic. Për të, ekspozita “Punëtorët dalin nga studioja…” është një kombinim fantastik i gjërave, sepse afirmon socrealizmin. “Ata që prodhonin art ishin njerëz zakonshëm, por ishte periudhë tjetër. Ishte një pjesë e madhe e Europës, që punonte në metodën e socrealizmit. Mendoj se është e rëndësishme të mos e harrojmë këtë traditë e nëse nuk duam ta harrojmë duhet ta ekspozojmë”,-shton ai.
Pyetjes, a po e përqeshim ne socrealizmin(si dëshmi të ideologjisë) në këtë ekspozitë, duke i vënë përballë artin bashkëkohor, si për të thënë se cili qëndron më lart, Dusan Mandic i përgjigjet: “Jo. Komunizmi është diçka që po vjen”.

Ai mendon se ajo që ne kemi jetuar është socializmi. “Kështu supozoj. Sepse ne jetuam socializmin. Ne nuk hymë kurrë në komunizëm. Kishte parti komuniste, por komunizmi ishte një ide utopike. Tranzicioni nga realizëm socialist në realizëm kapitalist, është si të vish nga e ardhmja. Kthim në realitet. E ardhmja është akoma aty. E komunizmi do jetë diku atje në një gjendje utopike”.
Si një artist gjashtëdhjetëvjeçar që ka jetuar gjysmën e jetës në një epokë, e gjysmën në një tjetër epokë, slloveni Mandic, e quan veten me fat. “Hyrja në skenën e artit për mua ishte në një kohë dramatike. Tranzicioni nga një sistem në tjetrin ishte një shkundje për gjithë Europën. Mendoj se në disa pjesë të historisë, siç është statusi social, socializmi është më i mirë se sa kapitalizmi. Në disa gjëra, si liria e fjalës, është më mirë kapitalizmi, por prapë nuk mjafton, njerëzit duan më shumë”.

E ndërsa artet përballen si dëshmi të dy epokave, pyetja e natyrshme që lind është: ç’vlera ka tani arti i socrealizmit?
Mandic ka një përgjigje të thjeshtë për këtë: “Në Slloveni, në muzeun tonë, kemi lënë një hapësirë të veçantë, me skulptura partizane. Ky art është një traditë e mirë. Duhet ekspozuar, që të shihet sa më shumë. Ju, keni pasur Galerisë Kombëtare të Arteve një skulpturë shumë të bukur, të Stalinit. Atë duhet ta ekspozoni më mirë. Në Slloveni kemi skulptura identike me këto. Dhe galeria juaj është e pasur, sepse për fat të keq, lindja e ka shkatërruar këtë trashëgimi”.
Kur i themi që kryeministri ynë sot është artist, ai kujton se Edi Rama e ka ndihmuar grupin e tij për një ekspozitë të vitit 1998, pranë Muzeut Historik Kombëtar. Për artistin slloven, arti i socrealizmit dhe ai bashkëkohor, nuk kanë gjithaq ndryshime, nëse e shohim kapitalizmin si një formë tjetër të realizmit.
Mandej ai rrëfen se nuk ka fort ndryshime mes Shqipërisë dhe Sllovenisë. Shteti i tij ka dy milionë banorë dhe të jetosh me art është e vështirë. “Kam kërkuar të kem një studio nga kreu i bashkisë, por nuk më është dhënë. Politika nuk do t’ia dijë. Politikanët nuk duan t’ia dinë për artin aspak. Është situatë e re. Në socializëm ishte ndryshe. Atëherë administratori kishte frikë nga kritikat. Tani në kapitalizëm, askujt si intereson se e kritikojnë”,-thotë Mandic. E pyesim se mbase për këtë, nuk na duhet liria e fjalës që na jep kapitalizmi, dhe ai përgjigjet se sot që të gjithë e kemi këtë liri, askush nuk pyet më për fjalën, askush nuk e dëgjon atë. Ekspozita e çelur mbëmë qëndron e hapur deri më 5 prill.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb