TIRANE- Akset kryesore të vendit: Veri – Jug, Lindje – Perendim do të jenë të kompletuara dhe rrugë të plota me të gjitha standardet, ka deklaruar sot ministri Damian Gjiknuri. Teksa ka raportuar sot përpara Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, në kuadër të analizës së ministrave për gjashtëmujorin e parë të mandatit të dytë qeverisës, ministri Gjiknuri është ndalur tek projektet kryesore.

Infrastruktura rrugore
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, theksoi se brenda mandatit qeverisës do të përfundojnë të gjithë akset kryesore te vendit.

Disa nga projektet kryesore që janë pjesë e investimeve në katër vitet e ardhshme
Gjiknuri tha se do përfundojmë të gjitha rrugët e nisura, sepse ajo shprehja “i kemi lënë rrugëve” është e vërtetë, sepse i nisën me 5% të fondit dhe të gjithë faturat i ka paguar kjo qeveri.

“Do përfundojmë akset Veri-Jug, disa me PPP dhe disa me buxhetin e shtetit. Me buxhetin e shtetit do të përfundojmë pjesën tjetër të unazës, loti 2 dhe 3 nga ana e Dajtit deri te TEG. Nga ana tjetër, do fillojmë unazën nga “Shkolla Industriale” deri te sheshi “Shqiponja”, vazhdim i asaj nga Kopshti Botanik te “Shkolla Industriale” për të dalë në autostradën Tiranë-Durrës”, tha ai.

Më tej, Gjiknuri, tha se do të nisë shumë shpejt gara për aksin Kardhiq-Delvinë dhe kjo është e financuar me buxhetin e shtetit duke i dhënë rëndësi zonës turistike të Sarandës.

“Do të bëjmë bajpasin e Tepelenës duke përfunduar të gjithë aksin nga Levani deri në Kakavijë, duke e kthyer atë brenda standardeve. Do bëjmë investime me mbikalimet e nevojshme në Milot, apo disa mbikalime të tjera të nevojshme”, tha ministri.

Kontrata e “Rrugës së Arbrit” ka hyrë në fuqi, nis puna brenda muajt
Gjithashtu, me PPP do të vazhdojë “Rruga e Arbrit” dhe shumë shpejt kontrata ka hyrë në fuqi, para tre ditësh kompania ka sjellë projektin e zbatimit, i cili do të kalojë hallkën e miratimit nga Instituti i Ndërtimit dhe do të merret leja e nevojshme dhe financimi është siguruar nga kontraktori dhe “Rruga e Arbrit” fillon brenda një muaji, ku do të hapet dhe kantieri.

“Korridori Blu”
Sot, tha Gjiknuri, kemi nisur për shpallje me tender ndërkombëtar të segmentit Kashar-Thumanë, duke bërë kompletimin e pjesë së autostradës që vjen nga Kosova. Projekti tjetër është nga Miloti në Balldre, duke bërë një bajpas në qytetin e Lezhës dhe kjo është pjesë e koridorit Jonian-Adriatik, që quhet “Korridori Blu”.

Më tej ministri tha se “Jemi në procesin e tenderimit të bajpasit të Fierit dhe të Vlorës, ku brenda 24 prillit, do bëhet përzgjedhja e kontraktorit dhe ne synojmë brenda verës të kemi lidhur kontratat. Po ashtu dhe nga ana e Pogradecit, si Qukës – Qafë-Plloçë, një rrugë jo e bërë mirë, që kërkon dhe 50 milionë dollarë të tjerë”.

14 milionë dollarë, autostrada Tiranë-Elbasan
Edhe për qytetarët e Elbasanit ka lajm të mirë, tha Gjiknuri, duke vijuar se “dje erdhi financimi shtesë për pjesën e mbetur të autostradës Tiranë-Elbasan, pra janë 14 milionë dollarë të tjerë, të cilat do të hidhen për të përfunduar segmentin e mbetur nga zona e Ibës, te tuneli i Elbasanit dhe jam i bindur se brenda këtij viti do të përfundojë plotësisht”.

Tunel në Llogara
“Dhe së fundmi dhe një projekt tjetër është rruga e zonës së Dukatit që bën lidhjen e Orikumit me Llogaranë, ndërkohë që planet tona për Llogaranë është bërja e një tuneli”.

Rrugë alternative në Rrogozhinë
Gjiknuri theksoi gjithashtu, se jemi duke punuar edhe për segmentin e Rrogozhinës, “për një rrugë alternative për të shmangur Durrësin, pra për një rrugë më të shpejtë për në Jug”, tha Gjiknuri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb