DIBER – Babai që akuzohet për përdhunimin e vajzës së tij 15-vjeçare, do të qëndrojë pas hekurave, në pritje të vendimit përfundimtar të gjykatës për të.

Gjykata e Dibrës vendosi sot masën e sigurisë “arrest me burg” për Guri Përgjegjin, i cili nuk ka pranuar në asnjë moment se ka abuzuar seksualisht me vajzën e tij. 46-vjeçari akuzohet për veprën penale “Kryerje e marrëdhënie seksuale në gjini”. Seanca në gjykatë u zhvillua me dyer të mbyllura dhe zgjati rreth 40 minuta.

Pas arrestimit, Guri Përgjegji deklaroi në polici se vajza ka bashkëpunuar me njerkën e saj, duke i bërë një puç me qëllim për ta burgosur. Përgjegji pretendon se arsyeja e këtij ‘puci’ është lidhja që gruaja e tij ka me një tjetër në fshat.

Policisë së Dibrës i është dashur 12 orë për të arrestuar Përgjegjin dhe ky fakt duket se nuk i mbështet shumë pretendimet e 46-vjeçarit.

Arrestimi i Përgjegjit u bë pas deklaratës së vajzës së tij të mitur, E.P, 15 vjeçe, e cila pretendon se babai e përdhunoi në një zonë të pyllëzuar të fshatit. Vajza rrëfeu mes lotësh se të enjten rreth orës 11:00, poshtë fshatit Kastriot Dibër në një vend të pyllëzuar babai i saj biologjik, Guri Përgjegji ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të. Pas aktit ai është larguar menjëherë në drejtim të pyllit.
Ekspertiza mjeko- ligjore ka konfirmuar faktin se vajza është përdhunuar.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb