TIRANË- Nga Elbasani në Vlorë, policia e shtetit duket se i ka shpallur luftë krimit, në këto dy qytete ku elementët kriminalë kanë fituar mjaft terren e nuk ndalen para asgjëje.
Që prej orëve të vona të mbrëmjes së djeshme raportohet për një tjetër aksion të policisë, të mbështetur edhe nga efektivë të antitrafikut, me qëllim goditjen e krimit.
Mjaftoi rasti i goditjes së makinës së policisë në Elbasan nga një “Audi” i blinduar që policia e shtetit të ngrihej në këmbë dhe të niste një aksion në Elbasan, për të vazhduar sot me Vlorën.
Ishte vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako që në takim me krerët e policisë së Elbasanit paralajmëroi shkrirjen e këtij aksioni policor në të gjithë vendin.
Ky operacion konsiston në kontrollin, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri, autorëve të ngjarjeve të rënda kriminale si dhe pjestarë të grupeve kriminale.
(m.a/BalkanWeb)