TIRANË- Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar pas ngjarjes që ndodhi pasditen e sotme në aeroportin e Rinasit ku tre persona me maska e armë grabitën një shumë të madhe parash që do të transportoheshin jashtë shtetit.

Basha thotë se kjo grabitje dëshmon se shteti ka rënë pasi persona me armatim të rëndë kanë hyrë në aeroport, në vendin që duhet të ishte territori më i sigurt.

“Grabitja e armatosur sot në Rinas, në atë që duhej të ishte territori më i sigurt në vend, dëshmon se rendi ka rënë, se shteti ka rënë. Persona me armatim të rëndë e me maska, shkojnë deri tek pista e avionëve, grabisin paratë, vetëm një ditë pasi u deklarua se në aeroportin e Rinasit janë përforcuar kontrollet në kuadër të masave kundër terrorizmit, pas sulmeve ne Stamboll”, deklaron Basha.

Sipas tij, policia është e angazhuar duke ruajtur parcelat me kanabis, duke përgjuar e shantazhuar gjyqtarë dhe duke dhunuar qytetarë.

“Ku janë cubat e Tahirit, apo me siguri duke ruajtur parcelat me kanabis të Habilajve për llogari të shefit, duke kundruar udhëtimin e skafeve me drogë që kanë pushtuar Jonin dhe Adriatikun, duke përgjuar në mënyrë të paligjshme e shantazhuar gjyqtarë e prokurorë, duke dhunuar e gjobitur qytetarë e biznesmenë apo duke arrestuar gra dhe pleq për kuponin e një kg qepe apo 2000 lekë drita të papaguara”, vijon më tej ai.

Basha thekson se ‘Kjo ngjarje e rëndë, që ka shkallmuar çdo standard të sigurisë, është një akuzë direkte për Saimir Tahirin dhe Edi Ramën. Në pushtetin e tyre krimi s’ka kufij, ka mbrojtje, ka liri. ‪#‎Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: