NGA FATMIRA NIKOLLI

E kam pritur rikthimin me mall, me emocion, aku mulim e përgjegjësi. Më erdhi një telefonatë për rolin në kohën e duhur, kohë kur njeriu kalon situata të vështira shëndetësore dhe të tjera. Roli më ndihmoi që të heq mendjen dhe fiksimin nga problemet. Vendosa ta bëj rolin. Drejtoresha e Teatrit dhe regjisorja më thanë se do ta bëjmë bashkë. Erdha në vendin e duhur. Përveç ekipit shumë dashamirës që më amortizoi problemet e mia, gjeta edhe suportin e tyre, e pashë që këtu punohej dhe dinjitetin ta jep puna. Njerëzit e punës i dua shumë”. Është Hajrie Rondo që flet në skenë pas një lufte të gjatë me një sëmundje të rëndë. E ka mundur dhe e mund përditë, me forcën e gruas dhe të jetësështë mpakur po është sërish ajo, e mprehtë, me të njëjtin timbër zëri, me të njëjtën dashuri, me të njëjtën mimikë e talent, me duart e lidhura, mbuluar me rroba të një zonje soji, siç ia kërkon roli.

Aktorja e njohur interpreton rolin e Sanijes (nënës) në komedinë “Tre dhëndurët” të Dionis Bubanit, shfaqje që vihet në skenën e Teatrit të Metropolit me regji të Sonila Kapidanit nga data 20 tetor. Vepra në vetvete është një rikthim në skenë, 30 vite pasi Pirro Mani e pati bërë atë pjesë të fondit të Estradës së Tiranës. Ndërsa flet për rolin, Hajrie Rondo, tha se nuk e ka parë shfaqjen më 1986-ën. “Nuk e kam parë atëherë. Veprën e njihja dhe më pëlqente. Më ka shijuar e gjithë puna e bërë deri tani. Sanija që unë luaj është një grua tipike jugore- një grua me origjinë nga një familje çifligarësh, që ka ardhur nuse në kohën e saj me pajë të rëndë e takëme floriri. Është bijë e një dere të madhe, por e pashkolluar dhe nuk i ka shpëtuar grackës së të shoqit duke u lidhur me pushtetet. Vuan se nuk e marton dot të bijën 27 vjeçe”.

Rondo, teksa nuk ngurron të vlerësojë stafin, regjisoren Sonila Kapidani dhe drejtoreshën e Metropolit, Jonida Beqo, shton se “ka situata që s’të lënë të marrësh frymë. Kam pak vështirësi të kap ritmin dhe kam ende shumë punë për të bërë”. Ajo mandej kujton se i pëlqen shumë pjesët shqiptare. Ndërsa Beqo, drejtoreshë e Teatrit, vëren se veprat që dalin nga Arkivi, sjellin ngrohtësi. “Unë e mbaja mend nga fëmijëria. I përkonte sezonit tonë të së vërtetës dhe dëshirës për të vënë vepra të mira të autorëve shqiptarë. Kemi një kastë me disa brezni aktorësh e me përvoja të ndryshme. Për rolin e Sanijes, teatri ka menduar edhe një dublante, Elona Hysenin, e cila para mediave u tregua e kënaqur për rolin dhe qasjen e saj ndaj tij.

MBI PËRFITUESIT E PUSHTETIT
Ngjarjet zhvillohen në një kohë të shkurtër, gjatë vitit 1943-1944, në një qytet në Jug të Shqipërisë, por të mbushur me ndodhi të mëdha. Atë kohë ndodh kapitullimi i Italisë fashiste, gjithashtu tërheqja e gjermanëve hitlerianë, përpjekja e anglezëve për t’u bërë faktorë, e së fundmi ardhja e par-tizanëve që solli në fuqi Partinë e Punës. Komedia sjell personazhe origjinalë, veprimet e të cilëve tendosen e marrin kthesa të shapejta e të papritura, pasi e konsiderojnë martesën si mënyrë për të forcuar pozitën shoqërore. Rëniet e shpejta dhe të shpeshta të pushteteve i bëjnë ata të mos dinë “nga duhet t’ia mbajnë”. Gjithë ç’e lidh pjesën që zë fill më 1943-shin është dëshira e njerëzve për të përfituar nga pushtetet në kurriz të gjithkujt.

Regjisorja Sonila Kapidani tha se është me rëndësi te kjo komedi tabloja e gjallë e një jete të veshur me petkun e problemeve të kohës së atëhershme, që ngjajnë aq shumë me ndërrimet e sotme të partive politike, që shpesh e vendosin individin në kaos dhe ia lëkundin parimet jetësore dhe duke ia shtuar ankthin social, gjë që e bëjnë të duket jo pak herë komik. Sipas saj, një ndër problematikat kryesore që kjo komedi ka hedhur dritë atëherë, por hedh edhe sot, është brezi i ri, çfarë makutëria e së tashmes po sjell për të rinjtë që do jenë e ardhmja e këtij vendi. Pa asnjë kompleks pse pjesa është vënë edhe nga Pirro Mani, Kapidani, 30 vite më pas sjell tjetër këndvështrim mbi veprën e Bubanit.

Në skenë interpretojnë edhe Gëzim Rudi (Mentari)- babai që kërkon të shfrytëzojë lidhjet martesore të vajzës së tij për të fuqizuar statusin e tij social; Pjerin Vlashi (Dudumi) – daja çifligar i Fluturës, njeri praktik, që njeh si pushtet vetëm paranë; Linda Jarani (Flutura) – vajza e shtëpisë, tipi i femrës së rritur me njohje të kufizuara të botës reale. Shkëlzen Berisha-Xhevahiri(i pëlqejnë pazarllëqet dhe i sheh si mundësi përfitimi), si dhe aktorët Roerd Toçe, Aleksandër Kondi e Margent Çaushi, që interpretojnë tre dhëndurët: ‘italianin’, ‘gjermanin’ dhe ‘anglezin’. Vepra do të vihet në skenë që nga data 20 tetor, çdo të enjte, të premte, të shtunë dhe të diel në sallën “Çehov” të Teatrit Metropol.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: