Nga: ERJON SKENDAJ*

TIRANE- Gentiani na mirëpret në ambientet e Xhamisë së Re ku punon si imam prej 5 vitesh, e ku drejton të gjitha shërbesat fetare për popullsinë e zonës së Tufinës. I diplomuar për teologji në universitetet siriane Gentiani nuk e fsheh nostalgjinë për vitet e paqta që ka kaluar në Siri para se lufta të niste dhe të shkrumbonte thuajse gjithçka.

Në bisedën me të, imami na tregon se ka qenë me fat pasi është larguar nga Siria në vitin 2011, një vit para se të nisnin trazirat. Ngjarjet i ndjek me ankth përmes televizionit, ndërsa vetes i ka vënë si detyrë të ndihmojë me se të mundet refugjatë sirianë si dhe refugjatë të tjerë që vijnë nga zona e luftës.

“Rastet që unë i konsideroj që i kam ndihmuar me të vërtetë janë dy. Një rast një psikologe siriane e mbajtëm në shtëpi 3 muaj me radhë, ku bashkëshortja ime që është edhe ajo siriane i shërbente si të ishte nëna e saj. Ndërsa një rast tjetër përsëri një nevojtar sirian edhe atë e mbajtëm për tre muaj. Ka edhe nevoja të rastit një përkthim, një ndihmesë që ata mund të kenë pasur duke qenë se nuk ka pasur ende në Shqipëri një fluks sirianësh.

“Ai që ka njohur Sirinë para 2012 do e kuptojë që sirianët nuk janë njerëz shtegtarë, që ikin nga vendi i tyre. Nëse nuk do ishin vështirësitë e jetesës ato nuk do largoheshin nuk ka familje pa një të vrarë njerëz që sëmuren me sëmundje nga më të ndryshmet ,mungesa e mjekimeve dhe ilaçe. Nëse do kishte sadopak siguri për jetën e tyre dhe të fëmijëve ata nuk do largoheshin.

“Unë kam banuar dhe studiuar atje, kam përfunduar studimet për Teologji nga 2003 deri në qershor 2011. Kthimi im nuk ka lidhje me revoltat, ajo që ndodh atje ishte përtej imagjinatës sime dhe të gjithë sirianëve. Vendosa të kthehem bashkë me familjen, të përqendrohem në shërbim të familjes dhe komunitetit afër të cilit jetoj”,- shprehet Gentiani.

“Kam ndjekur protestat e para, janë nisur nga fëmijë, u implikuan të rriturit deri sa përfundoi me këto pasoja të rënda. Nuk ka pasur një opozitë të mirëfilltë, u formua me kalimin e kohës. Rreth një vit e gjysmë ka pas protesta paqësore, e pastaj filloi gjaku të derdhet. Opozitarët e dinë më mirë se çfarë bënë për të armatosur ithtarët e tyre”,- shton imami.

Si pak të tjerë, Gentiani nuk druhet për të folur hapur për Sirinë dhe sirianët dhe për Shtetin Islamik, të cilin e krahason me sëmundjen e kancerit.

“ISIS i ditëve të sotme është diçka e panjohur për Sirinë, e papërfillshme. Ithtarët e tij s’kanë lidhje me popullin paqedashës e human. Nuk ka pas njohje për emrin e tij, ka pasur Ushtria e Lirisë Siriane. E kam quajtur kancer për Sirinë dhe Islamin. Nuk ka lidhje me kulturën siriane dhe vetë sirianët”,- shtoi ai.

Si një njeri i besimit në fe imami i xhamisë së Tufinës nuk kursen as kritikat për komunitetin mysliman shqiptar kur është fjala për ato xhami që vijojnë të ushtrojnë aktivitetin jashtë juridiksionit të tij.

“Kam marrë drejtimin e kësaj xhamie që më 1 korrik të 2012. Xhamia frekuentohet nga të rinjtë, ndërsa moshat e vjetra janë më të pakëta. Kjo xhami është ndërtuar me miratimin e Komunitetit Mysliman, e financuar me kontributin e një bamirësi kuvajtian. Ndërsa besimtarët kanë ndihmuar me pagesa mujore për mirëmbajtje por edhe për truallin. Ne përfaqësojmë islamin as Sirinë dhe as shtete të ndryshme. Nuk kam ndjerë ndonjë shqetësim. Komuniteti Mysliman duhet të marrë përgjegjësi në përfshirjen e të gjitha xhamive nën juridiksionin e tij”.

Lidhjet me Sirinë bëhen edhe më të forta pasi atje ka gjetur edhe njeriun e zemrës bashkëshorten e tij, me të cilën ka dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë. Pjesa tjetër e familjes së nuses së tij ndodhet e izoluar brenda Damaskut qytetit të blinduar nga forcat e Bashar Al Asad ku hyrje-daljet janë tejet të limituara e ku çdo tentativë për ti thyer rregullat, paguhet me jetë.

“Për mua që njoh jetesën, traditat e sirianëve them se nuk ka diçka të vështirë në jetesën e një bashkëshortja siriane. Traditat e tyre nuk janë të largëta për ne. Ne s’jemi të huaj për ta. atje ka 10 mijë shqiptarë komunitet në Damask. Kemi frikë për sigurinë e atyre”.

Ndihmën për refugjatët sirianë, imami e konsideron si një borxh të madh që duhet t’ia shlyejë një populli që e ka mikëpritur vite më parë, ndaj i bën apel shtetit shqiptar që të tregohet i përgjegjshëm dhe të mos i mbyll kufijtë.

“Mendimet e mia janë që Shqipëria e ka një farë mundësie si shtet të kontribuojë për këta njerëz, për fëmijët që po vuajnë. Të rishikojnë me vëmendje çështjen e hapjes së kufijve, pritjen e një grupi prej tyre, sa të përballojë qeveria jonë. Sirianët nuk synojnë Shqipërinë apo vendet e Ballkanit, nevoja na çon edhe në vende si Ballkani. Shqipëria do jetë një prej tyre, flas për kapacitetet e vendit tonë jo për ura kalimi. Të mos i lejojnë të vdesin nga i ftohti e të mbytur”.

Si imam i fesë islame Gentiani është i bindur se nëse ndodh, pra nëse refugjatët sirianë do të vërshojnë drejt territorit shqiptar myslimanët e Shqipërisë do të tregojnë dhembshuri për ti strehuar dhe ushqyer siç kanë vepruar më herët me shqiptarët e Kosovës apo hebrenjtë. “Do ketë një aksion brenda komunitetit apo besimtarëve për ti strehuar këta njerëz. Myslimanët e Shqipërisë e dinë se kontributi për njerëzit në nevojë është diçka e detyrueshme”.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb