Nga Valentina Madani

Arben Çejku, ish-student i ‘Dhjetorit ’90’ hedh dritë mbi disa momente kyçe të lëvizjes për demokraci e cila çoi në rrëzimin e diktaturës komuniste dhe krijimin e PD-së. Z.Cejku tregon për “Gazeta Shqiptare” situatën para fillimit të protestës së studentëve, dhunën e policisë mbi të rinjtë, debatet mes krerëve të lëvizjes dhe drejtuesve të PD-së për qëndrimin ndaj grevës së urisë. Ish- dhjetoristi rrëfen se pas arratisjes së shkrimtarit Ismail Kadare nëpër godina filluan vizitat e papritura nëpër konvikte duke i paralajmëruar ata se aty ndodhen për të mësuar dhe jo për t’u kthyer në vegla të “imperializmit dhe armiqve të vendit!”

Por, gjithashtu, z.Cejku vëren me shqetësim se: “Në javët e para të janarit 1991, u duk se demokracia kishte dy koka; njëra ishte PD dhe tjera ishte lidershipi i Lëvizjes Studentore, të cilat hera herës suleshin të kafshonin njëra-tjetrën. Ato ditë, secili e ndjente veten të rëndësishëm dhe të barasvlershëm…”. Ish-ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, aktualisht drejtor i ACGG (Qendra Shqiptare për Qeverisje të Mirë) shprehet se Lëvizja e Dhjetorit ’90, është pasuri kombëtare dhe jo monopol partiak.

 

dita_e_rinise

Z.Çejku, çfarë kujtoni nga dhjetori i ’90-es dhe çfarë e shkaktoi rebelimin e 8 dhjetorit? Çfarë ndodhi ne godinën tuaj dhe si iu bashkuat studentëve të tjerë?
Kam qenë më fat që isha student në dhjetorin e ’90-ës dhe një prej mijëra banorëve të “Qytetit Studenti”. Zhvillimet e vitit 1990 – 1991 më kanë shërbyer si një fakultet më vete për sa i përket dimensionimit tim si qytetar. Pranvera e dhjetorit 1990 më ka ndjekur gjithmonë në çdo hap që kam bërë në jetën time publike dhe private. Është hera e parë që ndaj me publikun kujtime të asaj periudhe, dhe pas 27 vitesh, nuk është e lehtë të ruash çdo detaj dhe sidomos të përmendësh me emër gjithë studentët dhe studentet që u bënë bashkë me 8, 9, 10, 11 dhe 12 dhjetor 1990, duke u bërë lokomotivë e një ndryshimi historik. Disa nga miqtë e mi kanë kontribuar më shumë se unë duke botuar shkrime, kujtime dhe libra rreth kësaj ngjarjeje dhe, në fakt, një nga dobësitë tona është se kemi shkruar dhe folur shumë pak për këtë periudhë të rëndësishme për demokracinë shqiptare. Por, ende ka kohë… Që gjatë muajit nëntor, sidomos pas arratisjes politike të Ismail Kadaresë, në godinat (fjetinat) ku rrinim ne konviktorët, kishin filluar të na “vizitonin” pedagogë, përfaqësues të ‘Rinisë’ etj., të cilët na “këshillonin” që të mos binim “pre e ndonjë provokacioni, që mund të organizohet në Tiranë, sepse juve keni ardhur këtu për të mësuar dhe jo për t’u bërë vegla të imperializmit dhe armiqve të vendit!”. Tirana e asaj kohe, përfshi edhe lagjen e saj rinore, qytetin e Studentëve, ishte në një ngricë shumëdimensionale ku çdo thashetheme merrte dimensione të paparashikuara. Përveç arratisjes së Kadaresë, kishin ndodhur shumë incidente të tjera në Shkodër, Tiranë, Kavajë, Kuçovë etj. Pra, regjimi po dridhej nga brenda dhe nga jashtë. Presioni ndërkombëtar për ndryshime në vendin e fundit Stalinist, sa vinte dhe shtohej dhe radiot e huaja, me në krye “Zërin e Amerikës”, për çdo ditë jepnin lajme, reportazhe dhe komente, që paraqisnin sinjale inkurajuese për trazira në Shqipëri. Pra, thënë shkoqur, të gjithë e prisnin në një farë mënyre se “diku do të plaste”, por nuk dihej se ku.! Ndoshta, vendi më i fundit, që nomenklaturës komuniste i shkonte ndërmend se mund të trazohej ishte pikërisht “Qyteti Studenti”. Ata mbase kishin frikë nga ndonjë ngjarje e madhe në fabrikat me mijëra punëtorë, në stadiumet ku kishte pasur incidente apo në ndonjë repart ushtarak. Ne si studentë ishim kyçur në një monotoni ekzistencializmi dhe ngjanim si robotë në një fermë kafshësh. Jetonim 6 deri 8 veta në një dhomë me 8 metra katrorë, me krevate marinari si nëpër burgje. Unë së bashku me disa bashkëstudentë të Filologjikut (nuk do përmend emra, sepse nuk dua të bëj gabimin e harrimit të ndonjërit) banonim në një dhomë që ishte direkt mbi studion e Radios “Studenti” tek godina 14. Natën e 8-dhjetorit, kemi qenë të gjithë në dhomë dhe diku nga ora 10:00 kemi dëgjuar zhurma dhe thirrje. Godina jonë, në fakt, kishte drita, ndërkohë që disa godinave të tjera, siç mësuam të nesërmen u kishin ikur dritat dhe studentët që banonin atje, kishin dalë në “protestë”. Thirrjet dhe fishkëllimat nuk zgjatën shumë dhe ne menduam se ishte ndonjë grupim sporadik dhe aq. Shumica e studentëve nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur me studentët e fakulteteve të tjera që kishin zbritur deri te Liceu. Me datë 9 dhjetor në mëngjes, kur dola për të shkuar në mensë, pashë një situatë krejt tjetër, ndryshe nga ditët e tjera. Disa grupe të vogla studentësh, këndonin në kor këngë patriotike dhe sidomos thirrjen “Eja mblidhuni këtu – këtu!”. Mësova se një grup studentësh ishin keqtrajtuar nga policia natën e 8-dhjetorit dhe disa prej tyre ishin ndaluar. Kishte ende paqartësi. Në fakultet, u mblodhëm të gjithë dhe aty iu bashkëngjitëm turmës së që po zbriste nga “Qyteti Studenti” përkrah Filologjikut për tek rruga e Elbasanit. Një pjesë ende kishin frikë dhe vazhduan mësimin, i cili po bëhej i cunguar dhe nën thirrjet “Liri – Demokraci”, “Poshtë diktatura”, “Lironi vëllezërit tanë”, “Tirana është me ne” etj. Disa pedagogë e braktisën mësimin dhe u bënë bashkë me ne aty ku është sot ambasada amerikane. Nga ora 10:00 deri rreth orës 14.00, kemi qëndruar aty pa lëvizur, duke protestuar. Tashmë pamjet filmike janë dhënë qindra herë dhe nuk dua të përsëris, por turma jonë herë shtohej e herë pakësohej. Kamerat vëzhguese nga godina e Liceut ushtronin presion, sepse shumë student mendonin se Sigurimi po na filmonte për të na identifikuar dhe goditur individualisht më vonë. Megjithatë, aty nga ora 12.00 unë dhe disa shokë jemi afruar tek rreshtat e parë, për të parë ata që kishim përballë. Ishin forcat speciale, gati për sulm. Dhe, në fakt, na sulmuan aty rreth orës 14.00 duke mos kursyer vajzat. Aty u masakruan shumë studentë dhe unë kam ikur bashkë me të tjerët duke u futur tek disa pallate 4 a 5 katshe, që ishin në krah të djathtë të rrugës së Elbasanit. Duke qenë se kishte rënë një vesë shi, ai bregu që ndante rrugën nga lëndina në krahun e saj të djathtë, ishte rrëshqitës dhe aty shumë vajza dhe djem ranë nën këmbët e turmës dhe më pas nën shkopinjtë e gomës dhe ato të drurit që përdorën forcat speciale. Unë kam hyrë në njërën nga hyrjet dhe jam ngjitur shkallëve për të shkuar në katet e fundit. Banorët, që kishin parë çfarë po ndodhte me ne, kishin hapur dyert dhe na ftuan brenda. Unë nuk hyra, sepse po shihja çfarë po ndodhte jashtë. Ishim të pafuqishëm për të përballuar atë makineri dhune që ishte ndërsyer kundër një grushti djemsh e vajzash të reja, që kishin në dorë vetëm librat dhe asgjë tjetër! Kur pashë dhunën që ushtrohej dhe dyert e popullit që na u hapën, kuptova se në atë orë, kishte nisur ndryshimi i madh dhe se nuk duhej të kishim më frikë. Kam zbritur poshtë dhe bashkë me dy-tre shokë jemi ngjitur në qendër të “Qytetit Studenti”. Askush nuk shkoi në mensë apo në dhomë. Të gjithë u grupuam tek sheshi dhe në mënyrë sporadike kemi nisur të këndojmë këngë patriotike dhe të vijojmë thirrjet anti-komuniste. Kërkuam lirimin e disa studentëve që kishte marrë policia gjatë sulmit. Dhuna e përdorur nga policia na vuri përballë shtetit që ndonëse ishte kalbur nga brenda, donte të rezistonte me çdo çmim. Deri natën vonë kemi ndenjur në shesh bashkë me banorët e lagjeve përreth, të cilët na erdhën pranë dhe na mbështetën. Ata meritojnë mirënjohjen dhe falënderimin më të madh. Pa banorët e Tiranës që në erdhën atë pasdite për të na mbështetur, dyshoj nëse ne do të kishim vijuar të nesërmen me protestën e radhës në sheshin e “Qytetit Studenti”. Përkrahja e atyre njerëzve anonimë, emrat e të cilëve nuk i mësuam kurrë, Sigurimi dhe forcat special të policisë, do të na kishin dhunuar më keq dhe do të na kishin shpërndarë për gjithë natën. Ata na ruajtën ne dhe së bashku, me datën 10 dhjetor ishim edhe më shumë edhe më të fortë.
Çfarë ishte në të vërtetë 8 Dhjetori…?
8 Dhjetori nuk ishte një rebelim i thjeshtë apo protestë për kushte ekonomike apo pse nuk pati drita një natë. Ajo ditë shënoi fillimin e një revolucioni demokratik, nga më të rëndësishmit dhe më të emancipuarit që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Lëvizja Studentore ishte një platformë lirie dhe demokraci, për të cilën ishin vrarë e persekutuar qindra e mijëra njerëz për 50 vjet me radhë.

Intervistën e plotë e gjeni sot në Gsh.al në linkun http://www.gsh.al/2017/12/13/e-plote-ish-dhjetoristi-si-na-kercenuan-neper-konvikte-pas-ikjes-se-kadarese-tiranasit-na-hapen-shtepite-teksa-policia-na-godiste-me-shkop-gome/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb