TIRANE– Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, pasi mbeti jashtë Parlamentit, ka vendosur që të angazhohet në një profesion të ri, duke u tërhequr përfundimisht nga politika.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Manjani thotë se tashmë ai do t’i dedikohet avokatisë, ndërsa tregon se e ka përfunduar procesin e regjistrimit zyrtar të profesionit të ri, duke marrë niptin.

Manjani u shkarkua pas një kërkesë të kryeministrit Rama ndaj ishaleatit të tij në qeveri, Ilir Metës. Që nga ajo kohë, Manjani ka patur shumë përplasje verbale me kryeministrin.

POSTIMI I PLOTE

Përshëndetje, Që sot e ne vijim do ti përkushtohem tërësisht Avokatisë. Punonjësit e Qëndrës së Shërbimeve (djali në sportelin nr 3) më ndihmuan të pajisem me NUIS (NIPTI). Kam ndërmend të fokusohem tek këshilla ligjore për çdo kënd që ka një problem me shtetin.

Së bashku me një ekip partnerësh punëtorë e të mënçur do mundohemi të bëjmë më të mirën tonë. Të vëmë në dispozicion gjithçka dimë në funksion të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.

Sa i takon angazhimeve të tjera, me të cilat jemi njohur deri më sot, kalojnë të gjitha në plan të dytë.

Që do të thotë se ndonjëherë për ndonjë teme që ma ka qejfi dhe ma lejon koha, mund të shpreh ndonjë mendim. Politika tashmë ka zgjedhur “punonjësit” e saj, të cilëve ju uroj veç të mira!

Të jenë sa më shumë të sinqertë dhe të luajnë sa më pak teatër për llogari të shefave të tyre! Për çështje të zbatimit të ligjit apo të funksionimit të drejtësisë do jem gjithnjë i gatshëm dhe në dispozicion.

Shumë faleminderit për komentet tuaja nëpër statuset e mia! Jemi në kontakt në vijim, me statuse, komente e mendime të tjera.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: