Gazetari investigativ Artan Hoxha komentoi sot në studion e lajmeve në News 24 skandalin “Panama Papers” dhe përfshirjen e emrit të një biznesmeni shqiptar në të, kjo referuar mediave izraelite.

Sipas Hoxhës, ky padyshim është investigimi më i madh i bërë ndonjëherë nga gazetarët e gjithë botës, ndërsa shtoi se falë burimeve të mëdha të mediave izraelite u arrit të përmendej edhe emri i biznesmenit shqiptar Mulleti.

“Kur në parajsa të tilla shfaqen biznese të huaja që më pas vijnë në Shqipëri dhe krijojnë një kompani mëmë, kjo bëhet me qëllim për tu fshehur, për të mos marrë vesh kush është kompania në të vërtetë. P.sh për ARMO-n na thanë që ishte një kompani amerikane, pyeta një nga drejtuesit dhe më tha çfarë amerikan zeza janë, po është një pikë karburanti në Teksas që është lidhur me një kompani shqiptare. Të gjitha privatizimet e mëdha kanë ndodhur në këtë formë, pra bëhet kamuflimi i kompanisë së vërtetë për t’ju fshehur lidhjeve reale”,- tha Hoxha.

Në lidhje me koncesionin e fituar nga GFI Albania, Hoxha konfirmoi se ai është bërë në fund të qeverisë Berisha.

“Koncesioni i markimit të karburanteve është bërë në fund të qeverisë Berisha. Unë nuk e dija që deri në atë kohë ishte Mulleti ai që ka marrë markimin, por dija që ai që ka marrë koncesionin ka lidhje me qeverinë Berisha, se ndryshe s’mund ta merrte dot. Kompanitë e karburanteve rezistuan, por nuk mundën ta zmbrapsin. Koncesioni është dhënë në fund të qeverisjes, kur kishte dalë edhe rezultati i zgjedhjeve”,- shtoi ai.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb