Qeveria  spanjolle prezantoi një plan prej nëntë miliardë eurosh për të mbështetur tranzicionin energjetik, kryesisht përmes subvencioneve për rinovimin e shtëpive dhe miratimit të një bilete sezonale praktikisht falas për transportin publik.

“Revolucioni energjetik nuk mund t’u sjellë dobi vetëm atyre që mund të ndërrojnë makina, të instalojnë panele diellore në çatitë e tyre ose të rinovojnë shtëpitë e tyre pa ndihmë shtetërore”, tha kryeministri Pedro Sanchez .

“Duhet t’u sjellë dobi të gjithëve”, tha ai gjatë prezantimit të këtij projekti të ri, i cili do të bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian.

Spanja është në vijën e parë të frontit të ngrohjes globale, me valë të nxehta që po bëhen më të gjata dhe më të shpeshta, që në pranverë, por edhe në vjeshtë dhe dimra më të lagësht se më parë.

Më hollësisht, 4.7 miliardë euro nga “plani social për klimën” do të ndahen kryesisht për përmirësimin energjetik të shtëpive dhe lagjeve, ndërsa 4.3 miliardë euro do të investohen në lëvizshmëri, duke përfshirë miratimin e një bilete speciale sezonale që do të lejojë përdorimin pothuajse falas të transportit publik.

Megjithatë, miratimi i këtij plani kërkon shumicën në parlament, të cilën qeveria aktuale nuk e ka.

“Na duhet mbështetja e të gjitha” grupeve parlamentare, përfshirë opozitën e krahut të djathtë dhe të ekstremit të djathtë, tha Sanchez sot, pasi burimet e Fondit Evropian për Klimën Sociale kërkojnë përfshirjen e direktivave evropiane në ligjin kombëtar dhe pajtueshmërinë me rregulloret evropiane.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb