ROMË– Luigi Di Maio, kryetari i Lëvizjes 5 Yjet (antisistem) që u rendit partia e parë në Itali pas zgjedhjeve parlamentare, u shpreh sot i gatshëm për të diskutuar rreth një programi të qeverisë me Ligën e Veriut (ekstremin e djathtë), duke përjashtuar dy partitë e tjera të koalicionit të së djathtës.

Zgjedhjet e 4 marsit nxorrën dy fitues pa shumicën e nevojshme. Luigi Di Maio, liderin e Lëvizjes 5 Yjet (L5Y) me më shumë se 32% të votave, dhe Matteo Salvini, kryetar i Ligës dhe lideri i koalicionit të së djathtës i renditur në krye me 37% të votave.

”Mëngjesin e sotëm biseduam me Matteo Salvinin (liderin e Ligës) dhe ramë dakort për të diskutuar rreth programit”, pohoi Luigi Di Maio, 31 vjeç.

”Formimi i qeverisë do të jetë i mundur vetëm me dy forca politike që janë L5Y dhe Liga”, u shpreh Luigi Di Maio, duke përjashtuar në këtë mënyrë Forza Italia (e djathta) e Silvio Berluskonit dhe Fratelli d’Italia (ekstremi i djathtë), dy partitë e tjera të koalicionit të së djathtës./Ata
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: