Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

“Kampi i Beratit në 4 vite ekzistencë, priti 1275 të internuar. Nga cili qytet kishte më shumë”

Kastriot-dervishi

TIRANE– Studiuesi Kastriot Dervishi ka publikuar një dokument ku tregohen të internuarit e kampit të Beratit. Sipas dokumenteve të publikuara në rrjetin social “Facebook” thuhet se në 4 vite ekzistencë të këtij kampi kanë qenë 1275 të internuar.

Kampi i Beratit që funksionoi në vitet 1945-1949 ishte përcaktuar për banorët nga veriu i vendit.

dok

POSTIMI I PLOTE
1945-1949/Kampi tela me gjemba i Beratit
Në mars 1945 në Shqipëri u hapën dy kampe tela me gjemba, në Berat dhe në Krujë. Në Berat u vendosën të internuarit nga veriu dhe në Krujës ata nga jugu i vendit.

Internoheshin familjarët e këtyre personave:
-Të arratisurve brenda dhe jashtë vendit
-Të dënuarve dhe atyre që mund të burgoseshin (rasti i Shkodrës)
-Të dezertorëve

Nëpër seksionet e punëve të brendshme filluan të grumbulloheshin persona kontingjente për internim. Ata silleshin duke ecur në këmbë nga shtëpia e deri në pikën ku do qëndronin, duke bërë kështu dhjetëra kilometra. Pleq, gra, e fëmijë, të rreckosur, lodhur, uritur e dëshpëruar ishin pjesë e panoramës që mund të shihej në qytetet ku ata vendoseshin përkohësisht. Përpara se të mbërrinin në kampe ishin tmerrësisht të lodhur e sëmurë.

Kampi i Beratit që funksionoi në vitet 1945-1949 ishte përcaktuar për banorët nga veriu i vendit. Në fillim të internuarit u vendosën në shtëpi të braktisura, e më pas u përqendruan. Burrat punonin në fermën e Kuçovës, ndërsa gratë vilnin ullinj. Puna e tyre është shfrytëzuar edhe për zhvarrime.

Personat e parë të internuar në Berat janë nga Shkodra (pjesa dërrmuese e listës bashkëlidhur të datës 25.2.1945). Ata ishin arrestuar gjatë operacionit quajtur “bllokues” të zhvilluar më 29 janar deri më 2 shkurt 1945.

Në mars 1946 në kampin e Beratit ishin 1.275 të internuar, si vijon (sipas prefekturave):
-270 nga Shkodra
-331 nga Kukësi
-178 nga Dibra
-173 nga Elbasani
-234 nga Durrësi
-89 nga Tirana

Në shtator 1947 në kampin e Beratit ndodheshin 586 të internuar. Në vitin 1949 kampi nën drejtimin e të njëjtit komandant, u zhvendos në Tepelenë.

(BalkanWeb)





Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.