Legjionarët kuqezi janë në garë me kohën për të bindur Sylvinho-n, për të siguruar një vend në “Euro2024”. Nuk është një sekret që dilemat e mëdha të teknikun brazilian janë në lidhje me fazën ofensive, pasi aty është dhe konkurrenca më e lartë. Pasi mungoi në dy miqësoret e muajit mars, kundër Kilit dhe Suedisë, Mirlind Daku është rikthyer të perfomojë në nivele të larta. “Bomberi” kuqezi është kthyer në protagonist kryesor për ekipin e Rubin Kazan, ndërsa trajneri i ekipit rus u shpreh i bindur se Daku do të shkojë në Euro2024:

“Daku do të shkojë në Europian. Nuk kam dëgjuar ende gjë që mund të largohet. Kemi bërë një bisedë me të, i kam thënë që të rritet dhe të zhvillohet. Ka një siguri të madhe dhe potencial. Sigurisht, momenti i ndarjes do të vijë, por mos u nxitoni për këtë moment, së pari duhet të jetë një lojtar i qëndrueshëm dhe të tregojë nivelin e tij. Ne kemi krijuar një lloj varësie prej tij. Është e vështirë që të ingranohesh si Daku në Rusi pasi vjen nga Sllovenia. Me përmasat e tij, të kesh një driblim të tillë, shpejtësi dhe aftësi për të luftuar, vlen shumë. Patjetër që do të shkojë larg”, u shpreh trajneri i Rubin Kazan. Ndërkohë nga krahu tjetër, Mirlind Daku ka dhënë një prononcim në mediat në Rusi, duke shprehur sigurinë e madhe për të kryer befasinë në “Euro2024”. “Shqipëria është në grupin e vdekjes në Europianin e Gjermanisë, por ne kemi për t’i surprizuar të gjithë atje”, u shpreh Daku.

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb