Në Kenia dalin hapur kundër Ze Marias. Lajmi që trajneri i bardhebluve kërkon të afrojë tre prej “ushtarëve” të tij te Gor Mahia, ka “tërbuar” Dilan Kerr. Ky i fundit ka marrë “timonin” e kenianëve, fill pas dorëheqjes së brazilianit. Kerr ka dalë dje në një deklaratë për “Capital Sports”, ndërsa kërcënon menaxherët që po përpiqen të bindin lojtarët e Gor Mahias, që t’i mbajnë larg duart.

Ai insiston që skuadra e tij duhet ta ketë mendjen te fitimi i titullit kampion dhe jo te zërat e merkatos. Kujtojmë që mesfushori Kenet Muguna, mbrojtësi Gordfrej Ualasimbi dhe sulmuesi Zhakes Tujisenge, janë në preferencat e Ze Marias dhe ky lajm ka bërë bujë në Afrikë.

“Nëse nuk vijnë me 3 milionë dollarë për Kenet Mugunan, nuk dua as ta dëgjoj më këtë çështje. Ata po përpiqen që të tërheqin vëmendjen e futbollistëve të mi, por kjo nuk është normale dhe sidomos për lojtarët që janë nën kontratë. Kenet ka edhe dy vite marrëveshje me Gor Mahian dhe në kësi kushtesh nuk i mbetet gjë tjetër, veçse ta respektojë atë.
Kam qenë prej kohësh i informuar se ata janë të interesuar edhe me Tujusengen dhe Ualusimbin, por asnjëri dhe as tjetri nuk mund të largohen dot. Atyre u skadojnë marrëveshjet në janar të 2018 dhe tani e kanë të pamundur që të lëvizin”, është shprehur Kerr, duke i mbyllur në këtë formë dyert bardhebluve për tre lojtarët, të cilët ishin vendosur në listën e dëshirave të Ze Marias.

U bë vite që Tirana e përqendron merkaton në Afrikë, ndërsa të shumtë janë futbollistët që vijnë nga kontinenti i largët dhe që kanë veshur ngjyrat bardheblu. Paraqitja e mirë që bënë Merveil e Akuah në sezonin e fundit dhe mbi të gjitha fakti që do arkëtojnë parà në klub, ka bërë që drejtuesit të shohin këtë treg si burim merkatoja.

Një tjetër motiv është edhe trajneri brazilian, i cili e njeh mjaft mirë terrenin, duke qenë se para se të vinte në Shqipëri, drejtonte pikërisht një ekip kenian. Zyrtarisht, pjesë e kryeqytetasve janë bërë tre afrikanë, më konkretisht: Junus Sentamu, Erik Asare dhe Toni Maveje (por ky i fundit ende nuk i është bashkuar grupit). /PanoramaSport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb