TIRANE- Ministria e Kulturës së Shqipërisë, që mban Presidencën e Këshillit të Ministrave të Kulturës të Europës Juglindore CoMoCoSEE (Council of Ministers of Culture of South East Europe), organizon Konferencën e tretë Ministeriale “Nxitja e Kulturës për Zhvillim të Qëndrueshëm”.

Qëllimi kryesor i kësaj konference është diskutimi për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal për kulturën, duke e parë atë si një shtyllë kryesore të zhvillimit ekonomik dhe ndërtimit të urave të qëndrueshme të bashkëpunimit mes vendeve.

Ky takim do të mbledhë ministra dhe titullarë të lartë të vendeve anëtare të CoMoCoSEE (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Moldavia, Mali i Zi, Romania, Serbia, Sllovenia, Turqia, Republika e Maqedonise).

UNESCO
Komisioni Evropian dhe Këshilli i Europës marrin pjesë në cilësinë e Vëzhguesit. Në linjë me Strategjinë Rajonale të Ohrit për Bashkëpunim Kulturor, të miratuar më 28 qershor 2014 dhe në vijim Deklarata e Stambollit të miratuar më 25 shkurt 2016, qëllimi i kësaj konference është që të përforcojë koordinimin në të gjitha nivelet ndërmjet politikave kulturore dhe të tjera sektoriale me qëllim arritjen e objektivave te “2030 Sustainable Development Agenda”, duke vënë venë theksin në rëndësinë e trashëgimisë kulturore si nxitës për zhvillim të qëndrueshëm.

Programi dhe dokumentet e punës së këtij takimi të nivelit të lartë janë rezultat i takimit përgatitor të Komitetit të Zyrtarëve të CoMoCoSEE që mbajt më 21 dhjetor 2016 në Ministrinë e Kulturës në Tiranë. Një fokus i veçantë për diskutim në Konferencë do të jetë deklarata e përbashkët që do të miratohet nga Ministrat e CoMoCoSEE më 22 shkurt 2017.

Konferenca do të ofrojë një platformë të hapur për të gjitha vendet anëtare dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë dhe palët e interesuara në zhvillimin e një qasje të koordinuar për luftën kundër trafikimit të paligjshëm të pasurisë kulturore; të inkurajojë shkëmbimin e njohurive dhe praktikave më të mira të aplikuar në sektorin e kulturës.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb