Komisioni Europian ka publikuar raportin e tremujorit të tretë për vendet kandidate dhe potenciale kandidate.

Për Shqipërinë raporti thekson se rritja e PBB-së reale ishte 4.1 % me bazë vjetore, në krahasim me 4.0 % në tremujorin e mëparshëm. Kontributi ishte pozitiv nga të gjithë elementët e kërkesës së brendshme. Konsumi i individëve u përshpejtua në 2.3 % dhe ai i qeverisë me 5.8 %, kryesisht si rrjedhojë e rritjes ë pagave në mars. Rritja e investimeve u përshpejtua në 14.3 %, si rrjedhojë e investimeve të huaja nga ndërtimi i gazsjellësit TAP dhe hidrocentralit të Devollit. Eksportet neto kontribuan pozitivisht, sidomos si rrjedhojë e shërbimeve që u zgjeruan me 22.0 %, përfshirë turizmin dhe transportin. Eksporti i mallrave (+4.4 %) u zgjerua për të tretin tremujor radhazi, duke konfirmuar rikthimin e trendit rritës, pas tre viteve rënie.

Në kahun e prodhimit, aktiviteti i ndërtimit shënoi rritjen më të lartë me 22.7 % me bazë vjetore, duke reflektuar kulmin e aktivitetit të investimeve në sektorin e energjisë. Aktivitetet financiare dhe të sigurimeve (+10.6 %) dhe përpunimi (+6.3 %) kishin gjithashtu ecuri të fortë.

Të dhënat sugjerojnë se aktiviteti ekonomik ka vazhduar zgjerimin dhe në tremujorin e tretë, besimi i konsumatorëve është përmirësuar dhe ai i bizneseve mbetet në nivele të larta.

Tregu i punës ka pasur zhvillime të favorshme në tremujorin e dytë. Punësimi është rritur ndërsa papunësia ra në 14.3% dhe papunësia tek të rinjtë zbriti me 3.4 pikë përqindje në 26.4 %. Pagat u rritën me 11%, kryesisht si rrjedhojë e rritjes së pagave në sektorin shtetëror.

Rritja e kredisë për ekonominë ishte negative që nga muaji prill (-0.2 % me bazë vjetore në gusht), që është gjithsesi rrjedhojë e zhvlerësimit të monedhave të huaja ndaj lekut. I rregulluar për efektin e kursit të këmbimit, kredia për bizneset dhe konsumatorët u rrit përkatësisht me 2.0 % dhe 7.5 % me bazë vjetore. Rritja e ulët e kredisë reflekton pjesërisht rregullimin e kredive me probleme, përfshirë fshirjet nga bilanci, thekson raporti. /Monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb