Komisioni parlamentar britanik i cili mbikëqyr negociatat e Brexit sugjeroi në një raport të publikuar sot se tërheqja e Britanisë së Madhe nga BE-ja mund të ketë vonesa, për shkak të progreseve të pakta në bisedimet midis Londrës dhe Brukselit.

Komisioni u shpreh se janë shënuar një numër i vogël progresesh në disa çështje të rëndësishme, kryesisht për të drejtat e emigrantëve apo llojin e kufirit midis provincës britanike të Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës.

Britania e Madhe duhet të largohet nga BE-ja më 29 mars të vitit 2019, dy vite pas nisjes së procedurës së largimit, neni 50 i traktatit të Lizbonës, dhe thuajse tre vite pas votës pro Brexit në referendumin e 23 qershorit 2016. Negociatat pritet të përfundojnë deri në muajin tetor për të mundësuar më pas miratimin e marrëveshjes nga Parlamenti Europian dhe ai britanik.

“Është e vështirë për t’u perceptuar sesi një marrëveshje për Brexit që përfshin një sërë çështjesh mund të negociohet brenda afatit kohor që mbetet në dispozicion”, theksoi komisioni.

Nëse aspekte të rëndësishme për të ardhmen e partneritetit tonë me BE-në nuk gjejnë ende zgjidhje deri në tetor, qeveria duhet të parashikojë një zgjatje të periudhës së parashikuar nga neni 50.

Kryetari i komisionit, deputeti laburist, Hilary Benn u shpreh se negociatat ndodhen në një “pikë kritike” dhe kërkon nga qeveria “propozime të hollësishme” për çështjet që mbeten pezull, veçanërisht për kufirin irlandez.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb