TIRANE-Gazetarja Kozeta Kurti tregon për “GSH” si e mësoi lajmin për “arrestin” e saj dhe tronditjen që pësoi kur lexoi ato që shkruanin mediat online.
Kozeta, si e mësove lajmin e botuar në portalet online?
Dita ime e fundit e pushimeve, ferri në tokë për mua. Isha me prindërit për drekë te njerëzit e tim eti, si për ditë të fundit, kur më merr im vëlla në telefon dhe më thotë, çfarë të ka ngjarë ty, sepse gazetat shkruajnë që je arrestuar për vjedhje në Itali. Ai e kishte lexuar në portalin online të qytetit të Durrësit. M’u shemb qielli në kokë, për shkak të një ngjarjeje të një dite të kaluar kur rastisa në qendër tregtare, ku ndodhi një vjedhje dhe pas denoncimit në polici, qendra u izolua (aty mora vesh çfarë kishte ngjarë) dhe morën në pyetje çdo dëshmitar atje, mua dhe disa shqiptarë të tjerë krejtësisht të veçuar, sepse grupi që kishte kryer vjedhjen ishte shqiptar. Më pyetën se përse isha në Itali, a jetoja aty, pse gjendesha në atë qendër, çfarë pune bëja në Shqipëri… a i njihja njerëzit për të cilët flitej aty brenda…. Atje për hir të së vërtetës na kanë mbajtur pak gjatë se duheshin verifikuar edhe lëvizjet e secilit.
Po portalet i janë referuar gazetës lokale italiane, apo jo?
Sigurisht! E kishin më kollaj t’i referoheshin gazetës lokale italiane se sa të më shkruanin mua një rresht në “Facebook” apo në email, aty ku më çojnë faqet e para të gazetave të tyre e të më pyesnin: a ka lidhje kjo që po lexojmë me ty? Nuk kam nevojë të jenë dashamirës me një figurë të njohur për ta, siç jam unë, apo me një kolege siç jam prapë unë, por të bëjnë punën e tyre, ABC-në e gazetarisë, duke verifikuar lajmin të paktën në dy burime. Për të mos thënë se sa të papërgatitur e sipërfaqësorë, që janë arrestohen 4 vetë dhe çuditërisht jepen vetëm të dhënat e një njeriu të njohur në Shqipëri, çka përbën një shkelje flagrante të të drejtave të njeriut. Jo vetëm që unë erdha në shtëpi shëndoshë e mirë, por edhe sikur të isha arrestuar e të isha në paraburgim, në Itali japin vetëm inicialet dhe jo identitetin e plotë, sepse nëse drejtësia të shpall të pafajshëm, këtyre u kushton ndryshe, jo si te ne në Shqipëri. E megjithatë, nuk ka nevojë të bind askënd se sa me faj apo pa faj jam, se kam lexuar lemeri të tilla, si, kushedi sa do të zgjasin pushimet në Itali, a e di njeri a e ka pasaportën… shkojnë në Itali për të vjedhur se e dinë që nuk të dënon ligji, por të gjithëve do t’u thosha që nuk më joshin 400 euro. Ndoshta me 400 miliardë edhe mund të isha tunduar se edhe burgun e bën me qejf, kur e di çfarë jete të pret më pas. (Ishalla ma postojnë edhe këtë, se për një pjesë të mirë të gazetarëve tanë, sensi ironik është togfjalësh në një gjuhë të huaj të panjohur).
Tani çfarë do të bësh?
Do të ndjek këshillën e miqve të mi për t’u qetësuar fillimisht, pastaj të të afërmve avokatë për kallëzim penal për shpifje të gazetave në Shqipëri dhe po kështu edhe në Itali. Një avokat italian ka marrë kontakt me gjykatën e Bergamos, në mënyrë që procesin për shpifje ta nisim pasi të përfundojë gjyqi për grupin e arrestuar në qendrën komerciale, gjyqi është nesër (sot), sepse nuk dua të keqkuptohet asnjë lëvizje e imja, sepse nuk dua ta shoh veten me ndonjë titull tjetër: “Udhëton drejt Italisë për t’u paraqitur në gjyq…”, megjithëse besoj që kaq do ta kuptojnë gazetarët shqiptarë, që të arrestuarit nuk mund të udhëtojnë nëpër avionë, sikur të jenë duke lëvizur me makinat e policisë e të burgjeve. Italianëve do t’u marr paratë, shqiptarëve nderin që patën kurajën të ma marrin nëpër këmbë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb