Prince Harry dhe Meghan Markle po përgatiten të sjellin në ekranin e vogël librin bestseller “No Way Out: The Searing True Story of Men Under Siege”, që rrëfen një nga misionet më dramatike të ushtrisë britanike në Afganistan. Libri është shkruar nga majori britanik Adam Jowett dhe përshkruan eksperiencën e tij si komandant i një njësie parashutistësh dhe ushtarësh të Royal Irish Rangers gjatë luftimeve në korrik të vitit 2006, në provincën Helmand.
Sipas Netflix, filmi do të prodhohet nga Duka dhe Dukesha e Sussex përmes Archewell Productions, së bashku me drejtuesen e përmbajtjes Tracy Ryerson. Skenari është shkruar nga Matt Charman, i nominuar për Oscar për filmin Bridge of Spies. Ky projekt konsiderohet mjaft personal për Harry-n, i cili ka shërbyer dy herë në Afganistan si pjesë e Ushtrisë Britanike, duke arritur gradën e kapitenit. Sipas përshkrimit të librit, njësia “Easy Company” u dërgua për të mbajtur nën kontroll qendrën e lagjes Musa Qala “me çdo kusht”. Ushtarët mbetën të rrethuar nga talebanët në një kompleks të improvizuar, ndërsa përballeshin me sulme të vazhdueshme për 21 ditë e netë.
Autori përshkruan presionin ekstrem dhe betejat rraskapitëse që përjetuan ushtarët, ndërsa municionet po mbaronin dhe situata dukej pa rrugëdalje. Që prej vitit 2020, Harry dhe Meghan bashkëpunojnë me Netflix, ku projekti më i suksesshëm mbetet dokumentari Harry & Meghan, i cili u bë premiera më e ndjekur dokumentare në historinë e platformës.
Megjithatë, disa projekte të tjera të çiftit nuk arritën të kishin të njëjtin sukses. Ndër to ishte seriali With Love, Meghan, i fokusuar te stili i jetesës së Meghan në Kaliforni, i cili u kritikua si “jorealist” dhe “joorigjinal” përpara se të anulohej këtë vit. Marrëveshja e çiftit me Netflix, e raportuar me vlerë deri në 100 milionë dollarë, përfshinte gjithashtu bashkëpunimin për markën “As Ever”, me produkte si reçel, verë rozë dhe dekorime ushqimore.
Pas anulimit të serialit, Meghan mori kontrollin e plotë të markës së saj, ndërsa sipas raportimeve ruan marrëdhënie të mira me drejtuesit e Netflix, përfshirë Ted Sarandos. Në gusht të vitit të kaluar, çifti nënshkroi një marrëveshje të re “first-look” me platformën, ndërsa Meghan e quajti bashkëpunimin “provë të forcës së marrëdhënies së tyre”.
Paralelisht, Harry dhe Meghan po punojnë edhe për adaptimin televiziv të romanit romantik The Wedding Date nga autorja Jasmine Guillory. Që nga largimi nga familja mbretërore britanike dhe transferimi në SHBA, çifti Sussex ka realizuar disa projekte dokumentare, mes tyre Heart of Invictus, Polo dhe Live to Lead. Ndërkohë, bashkëpunimi i tyre me Spotify përfundoi në vitin 2023, pas vetëm një sezoni të podcastit Archetypes.
