KRUJE– Një 67-vjeçar nga Kruja është vënë në pranga ditën e djeshme nga policia, pasi gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën e tij, iu gjet një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike. Mehmet Hoxha kishte fshehur në stanin për bagëtitë plot 207 kg kanabis, të vendosur në thasë najloni dhe fuçi plastike.

“Në bazë të informacioneve që disponoheshin, se në banesë shtetasi Mehmet Hoxha, 67 vjeç, dyshohej se posedonte lëndë narkotike, janë organizuar shërbimet e Seksionit të Narkotikës, të cilët pas kontrollit të ushtruar në ambientet e banesës e më konkretisht tek një stanë për bagëtitë, u konstatua një sasi e konsiderueshme me lëndë të dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sattiva”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sakaq, më cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 207 kg, lëndë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sattiva.

Materialet procedurale në ngarkim të 67-vjeçarit iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb