KOSOVE- Në kuadër të lobimit për pranimin e Kosovës në UNESCO, votimi i së cilës pritet të ndodhë më datën 09.11.2015 në Asamblenë e Përgjithshme , kryetar i Partisë Liberale Egjiptiane të Kosovës – PLE , Veton Berisha, deputet dhe përfaqësues i komunitetit egjiptian në Parlamentin e Kosovës, duke e mbështetur fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, përmes një letre drejtuar z. Mohamed Sameh Amr, ambasador dhe i deleguari permanent i shtetit të Egjiptit në UNESCO, i ka kërkuar votën Pro shtetit të Egjiptit.

Me anë të kësaj shkrese z.Sameh e kam njoftuar se vota Pro ndaj pranimit të Kosovës në UNESCO është votë të cilën edhe komuniteti Egjiptian i Kosovës e mirëpret dhe kjo votë garanton se futja e Kosovës në UNESCO është e drejtë legjitime dhe e pakontestueshme .

Në vazhdim, letra e plotë e deputetit Berisha, që ia dërgoi ambasadorit të shtetit të Egjiptit në UNESCO, Mohamed Sameh Amr:
Shkëlqesia juaj,

Unë jam Veton Berisha, Deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Përfaqësoj komunitetin Egjiptian të Kosovës, një grup etnik I vogël por shumë aktiv të cilët rrugëtuan nga Egjipti dhe u vendosën në Kosovë gjatë kohërave të lashta. Ne kemi një subjekt politik të quajtur Partia Liberale Egjiptiane, jemi një grup etnik i pranuar nga Kushtetuta e shtetit të Republikës së Kosovës dhe kemi një vend të garantuar në Parlamentin e Republikës së Kosovës.

Më lejoni t’ju informoj që çështja e anëtarësimit së Kosovës në UNESCO është përcjellë shumë nga qytetarët e Kosovës nga të gjitha grupet etnike dhe religjioze. Kemi vuajtur nga lufta, shtypja, pasiguria ekonomike dhe politike, mirëpo që nga pavarësia e Kosovës grupet etnike kanë pranuar rritje gjeneroze të të drejtave kushtetuese, të propozuara nga Presidenti i dërguar nga Kombet e Bashkuara, Marti Ahtisaari. Ne i kemi përdorur këto beneficione të arrijmë përfaqësimin tonë në Parlamentin e Kosovës. Në këtë mënyrë unë mund të konfirmoj që anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është i padiskutueshëm sa i përket mbështetjes së komunitetit Egjiptian të Kosovës.

Ne kemi nevojë për mundësi në edukim, shkencë, kulturë, liri të shprehjes dhe e gjitha kjo nuk mund të arrihet nga izolimi, por nga gjithëpërfshirja. Lus për mbështetjen tuaj në pranimin e Kosovës me votën tuaj për anëtarësim.

Egjipti, shteti ynë i dashur duhet të jetë në anën e drejtësisë dhe bashkëpunimit. Ju ftoj që të vizitoni Kosovën dhe të jeni dëshmitar vetë për progresin e shtetit tonë. Kam lexuar që Qeveria serbe është fokusuar në propaganda agresive kundër Kosovës.

Kjo është padrejtësi e madhe, ngase Kosova ishte viktimë e agresionit serb për shumë kohë dhe tani ne duhet të dëgjojmë fjalë penduese dhe dialog nga ana e tyre e jo fjalë akuzuese e agresive. Jam i gatshëm për çfarëdo pyetje që mund të keni për komunitetin tonë, Kosovën apo pyetje më të thella.

Veton Berisha, deputet, njëherësh kryetar i Partisë Liberale Egjiptiane të Kosovës – PLE

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: