Dy ushtarë turq janë vrarë ndërsa 31 të tjerë u plagosën nga një sulm me eksploziv nga militantët kurdë të PKK-së, tha ushtria turke.

Një traktor i ngarkuar me eksploziv iu drejtua një stacioni të policisë ushtarake, thuhet në deklaratën lidhur me shpërthimin e fuqishëm. Sulmi ndodhi të dielën herët në afërsi të qytetit të Dogubayezit në provincën Agri, pranë kufirit me Iranin.

Agjencia e lajmeve turke, Anadolu, tha se traktori ishte i ngarkuar me dy ton eksploziv.
Katër nga ushtarët e plagosur nga shpërthimi janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Autoritetet turke thanë se shpërthimi ishte aq i fortë sa disa shtëpi në një fshat disa qindra metra larg u goditën nga pjesët e hedhura në erë, ndërsa disa banorë u plagosën lehtë.

Agjencia e lajmeve AFP tha se kjo është hera e parë që ky grup është akuzuar për
ndërmarrjen e një sulmi vetëvrasës gjatë përleshjeve të fundit.

Që nga 24 korriku, Turqia ka ndërmarrrë disa sulme ajrore të kryera mbi bazat e PKK-së të gjendura në të dy anët e kufirit Irak-Turqi. Nga ana tjetër nuk ka pasur asnjë koment deri më tani nga PKK në lidhje me sulmin e përgjakshëm.

(g.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: