Kuvendi i Kosovës mban sot seancën e jashtëzakonshme për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Për miratimin e këtij Projektligji nevojiten 2/3 e votave të deputetëve, saktësisht nevojiten së paku 80 vota.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli të enjten në një konferencë për media tha se ajo çfarë duan është që deri të mërkurën të përfundojë çështja e demarkacionit me Malin e Zi.

Por sërish është tensionuar situata në Kuvend. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një adresim para deputetëve tha se Projektligji që ka ardhur para deputetëve e ratifikon Marrëveshjen e Demarkacionit të gushtit të 2015.

“Asnjë germë nuk i hiqet ligjit. Ku po ju dhemb. Nëse kthehet guri atje, e keni problem. Komisioni e ka prodhuar një raport, pse po ju dhemb o burra. Asnjë germë nuk i hiqet këtij ligji. Lërini pa viza dhe pa liberalizim qytetarët. Turp të keni”, tha Haradinaj, duke aluduar se do ta përkrahin demarkacionin vetëm nëse në të përfshihet edhe raporti i Komisionit të Shpejtim Bulliqit, me gjetjet e reja.

Kreu i ekzekutivit u zotua se sa të jetë ai aty, raporti i Bulliqit nuk do të hiqet nga votimi.

Pas deklaratave të ashpra të kryeministrit Haradinaj ka reaguar shefi i Grupit parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti duke thënë se dihet kush është tradhtar e kush patriot.

“…Kush është patriot e tradhtar dihet. Që tri vite është zgjatur kjo çështje. E lus kryeministrin të jetë i kujdesshëm kur t’i drejtohet 27 deputetëve, që janë më e madhe se partia e tij”, tha Hoti.

Një ditë më parë seanca dështoi të mbahet në mungesë të votave të mjaftueshme për ta miratuar marrëveshjen e Demarkacionit në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb