Saimir Tahiri nuk është i fundit. Të hënën pritet që kryeministri, Edi Rama të firmosë zyrtarisht edhe largimin e disa ministrave të tjerë në kabinetit të tij qeveritar.

Lajmi konfirmohet për “BalkanWeb” nga burime të besueshme pranë shefit të ekzekutivit.

Të njëjtat burime saktësojnë se Rama mund të firmosë konkretisht shkarkimin e Damian Gjiknurit, Ditmir Bushati, Blendi Klosit, Lindita Nikollës, Mimi Kodheli, Bledi Çuçit dhe Ilir Beqajt.

“BalkanWeb” mëson se kjo furtunë shkarkimesh në kabinetin qeveritar nuk do të thotë krijim të një qeverie teknike siç kërkon opozita, pasi saktësohet se zëvëndësuesit e tyre në kabinetin e ri qeveritar do të jenë sërish figura kryesore politike nga PS-ja.

Të njëjtat burime saktësojnë për “BalkanWeb” se Rama pritet të shkarkojë nga detyra pikërisht ata ministra që janë njëkohësisht drejtues politikë të Partisë Socialiste në qarqe, për t’iu dhënë atyre mundësi që të fokusohen me kohë të plotë në angazhimin elektoral dhe arritjen e objektivit: fitoren e zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit.

Kësisoj Partia Socialiste hyn para kohe në fazën finale të fushatës, duke rritur praninë e drejtuesve politike në çdo qark, si edhe duke përfshirë të tjera figura politike në kabinetin qeveritar.

Ende nuk konfirmohet nëse Rama do t’i shkarkojë të 9 ministrat që PS ka deleguar si koordinatorë në qarqe apo vetëm një pjesë të tyre.

Pikëpyetje ka edhe sa i takon faktit nëse kjo lëvizje e kryeministrit bëhet për të “mjegulluar” vendimin e tij të beftë për shkarkimin e sotëm të Tahirit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb