TIRANE-Katër ministrat e rinj të kabinetit qeveritar ‘Rama’ janë betuar sot në Presidencë, një ditë pas votimit në Kuvend.

Tanimë zyrtarisht Fatmir Xhafaj do të jetë ministri i ri i Punëve të Brendshme, Eduard Shalsi do mbajë postin e ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, ministrja e re e Punëve dhe Çështjeve Sociale do të jetë Olta Xhaçka ndërsa Ogerta Manastirliu do të jetë ministrja e re e Shëndetësisë.

‘BalkanWeb’ mëson se kryeministri Edi Rama nuk ishtë i pranishëm në ceremoninë e betimit të zhvilluar në Presidencë duke u përfaqësuar nga zv.kryeministri Niko Peleshi.

Një ditë më parë Kuvendi votoi për shkarkimin e Saimir Tahirit nga posti i ministrit të Brendshëm me 75 vota pro të mazhorancës dhe emërimin në këtë detyrë të Fatmir Xhafaj me 76 pro.

Gjithashtu me 78 vota pro të shumicës, Ilir Beqaj u shkarkua nga posti i ministrit të Shëndetësisë dhe në vend të tij u emëruar me 79 vota pro, Ogerta Manastirliu. Kuvendi votoi edhe për emërimin e Olta Xhaçkës në postin e ministres së Mirëqenies Sociale me 79 vota pro dhe shkarkimin nga kjo detyrë të Blendi Klosit me 76 vota pro.

Për shkarkimin e Bledi Çuçit nga posti i ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, votuan pro 78 deputetë të shumicës, ndërsa për emërimin e Eduard Shalsit në këtë detyrë votuan pro 76 deputetë të mazhorancës. Sakaq, votimi u bë pa praninë e opozitës, pasi ajo prej disa kohësh ka bojkotuar seancën plenare.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: