TIRANË- Pas lajmit që u përhap me shpejtësi se dy deputete u larguan nga PDIU, ku njëra prej tyre kaloi tek PS-së, ka reaguar kreu i kësaj partie, Shpëtim Idrizi. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Idrizi tha edhe njëherë se ky ishte një lajm i vjetër tashmë, ndërsa theksoi se një nga deputetet, Elena Xhina, ende nuk e kishte deklaruar largimin.
shpetim-idrizi
“Një gjë duhet ta them shumë qartë. E para është lajm i vjetër pasi direkt pas zgjedhjeve pati një deklarim për largim tek PS. Është ricituar ai lajm. Për PDIU ajo që na ndan dhe bashkon është çështja çame. Deputetja e dytë mesa di nuk është larguar, siç edhe ajo deklaroi. Këtë radhë kishim më shumë vota dhe ngelëm me 3 deputetë. Akti i fundit i luajtur ishte me deputetin Rakipi, i cili u akuzua për një gjë që s’u mor vesh. Ajo që është me rëndësi është fakti që me mungesën e deputetëve të PDIU në Kuvend, jo për shkak të votave, pasi ne u rritëm me vota. Sot ku jemi? Çështja çame nuk është më pjesë e qeverisë”, tha Idrizi, shkruan

‘BalkanWeb’.

Deputetja që fitoi mandatin me PDIU-në, Reme Lala deklaroi të dielën nga aktiviteti i kryeministrit Edi Rama në Peshkopi se do bashkohej “me më të mirën” që sipas saj është PS-ja, duke folur edhe në emër të koleges së saj Elena Xhina. Por kjo e fundit në një deklaratë të saj mohoi lëvizjen e saj tek PS, ndërsa tha se ishte e pavarur.

Mes të tjerash Idrizi tha se çështja çame nuk përfshihet më në anxhendën e qeverisë. Po ashtu Idrizi tha se çamët nuk kanë bashkëpunuar asnjëherë me fashistët dhe nazistët.

“Çështja çame nuk duhet të ngarkohet me harresë, por të jetë pjesë e identitetit kombëtar. Kemi kulmuar dje me një aktivitet jubilar. Synimi ynë është që kjo çështje mos të harrohet. Shqiptarët e Çamërisë nuk kanë bashkëpunuar me fashistët dhe nazistët. Po t’i referohemi fakteve, nëse çamët do bashkëpunonin me fashistët, fati i luftës italo-greke do kishte tjetër fund. Mos harroni faktin që në shumë vende të Ballkanit ishte bërë modë ku ishin instaluar qeveritë fashiste. E vetmja qeveri që përshëndeti pushtimin e Shqipërisë nga Italia ishte qeveria e Metaksait. Sot ata që kanë Agimin e Artë në Greqi, kanë edhe partinë Ultra radikale të djathtë, që është pasardhëse e këtyre partive që kanë bashkëpunuar me gjermanët. Pse regjimi i Enver Hoxhës mbajti të njëjtin qëndrim? Me daljen nga traktati i Varshavës, pas vdekjes së Stalinit dhe me ardhjen e Hurshovit në pushtet, Shqipëria dhe shqiptarët, regjimi i Enver Hoxhës kërcënohej nga jugu i vendit. Greqia kishte një ligj lufte dhe kishte epërsi territoriale. Kjo popullatë u marxhinalizua”, tha Idrizi.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: